Mbetja e Hysen Kadiut jashtë listave të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, përveç selisë blu në Kavajë, duket se i ka lënë shije të hidhur edhe kryeministrit Edi Rama.
Zhgënjimin e numrit një të PD-së së Kavajës, i cili doli i pari në Primaret e qarkut të Tiranës, Rama nuk la pa e përmendur në takimin me të rinjtë socialistë në këtë qytet, si për të treguar se meritorët nuk vlerëson në kampin blu, ndryshe nga çndodh në atë rozë.
Rama tha se ‘bufi i kënetës’, referencë e tij për kryedemokratin Sali Berisha, e hëngri përfaqësuesin e Kavajës. Për këtë arsye, kryesocialisti kërkoi që ata të kenë respekt për veten e tyre dhe të mos votojnë ata që sipas tij “shesin” personat me influencë në elektoratin e tyre.
“Në Kavajën që mbahej për një kohë shumë të gjatë si bastioni i Partisë Demokratike, ka ardhur një kohë që kavajasit, nuk duhet ta falin për ne por për dinjitetin e tyre, jo për Europën e këto por për respekt të vetes. Se doli Kavaja dhe votoi njeriun nga vendi i vetë, edhe kandidati i Kavajës doli i pari në Primare në qarkun e Tiranës dhe nuk është gjëkundi. E keni parë ju, e ka ngrënë bufi. Ja u hëngri përfaqësuesin, Hyseni është në barkun e bufit. Kjo është fyerja më e madhe që mund t’i bëhet një komuniteti. Kemi sjellë kryeministrin e ditëve më të vështira të Kosovës. 5 kandidatë nga PS dhe një viktimë nga Partia Demokratike që e ka ngrënë bufi”, tha Rama. (A2 Televizion)