"Krimi, krimi - droga, droga”, Bardhi: Ky është modeli mbi të cilin Rama mban pushtetin, ndaj refuzon të vijë në Kuvend

Nga A2 CNN
16 Prill 2026, 21:29 | Politikë

"Krimi, krimi - droga, droga”, Bardhi: Ky është modeli mbi

Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se e mban pushtetin përmes lidhjeve me krimin.

Në një postim në rrjetet sociale, duke iu referuar aksionit të fundit të SPAK, ku rezulton se një trafikant droge kishte përfituar plot 69 milionë euro nga paratë e qytetarëve shqiptarë, Bardhi thekson se kjo është arsyeja pse Rama refuzon të vijë në parlament dhe të përgjigjet për ndikimin e krimit të organizuar në ndërtim.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

“KRIMI, KRIMI-DROGA DROGA”

7.5 ton kokainë e trafikuar.

50 tenderë publikë nga pushteti i Edi Ramës.

Mbi 69 milionë euro kontrata.

232 pasuri (rreth 12 milionë euro) të sekuestruara nga SPAK.

Kjo është një skedë e shkurtër e aktivitetit kriminal dhe ekonomik të vetëm një karteli shqiptar që përdorte shtetin për të pastruar paratë e drogës.

Si Jetmir Pepa në Shqipëri ka shumë grupe kriminale që trafikojnë kokainë dhe që pushteti i pajis me leje ndërtimi apo me statusin e investitorit strategjik.

Ky rast i fundit i çuar para drejtësisë nuk është i izoluar. Ky është modeli mbi të cilin Edi Rama ka ndërtuar dhe mban pushtetin.

Kjo është arsyeja pse Edi Rama refuzon të vijë në parlament dhe të përgjigjet për ndikimin e krimit të organizuar në ndërtim, për pastrimin e parave përmes lejeve të ndërtimit.

Me Edi Ramën në krye të qeverisë, paratë e pista nuk fshihen, ato legalizohen edhe që t’i shërbejnë atij për të qëndruar në pushtet, përmes blerjes, shantazhimit dhe frikësimit të votuesve.

Riciklimi i parave të pista në ndërtim, në projekte dhe kontrata shtetërore është arsyeja pse Edi Rama i fshihet debatit për raportin e fundit të Departamentit të Shtetit për Shqipërinë.

Raporti thotë e zeza mbi të bardhë: ndërtimi është një nga kanalet kryesore të pastrimit të parave në Shqipëri.

Edi Rama mund të fshihet sot, mund të heshtë sërish nesër, por dita kur do të përgjigjet pse e bëri shtetin njësh me krimin është e pashmangshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos