Mit’hat Havari, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, i vlerësoi veprimet e Policisë së Shtetit në protestën e fundit të opozitës.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kapur situatën. Mbase edhe eksperienca, ose është i qartë dhe i pakomprementuar, s'i jep llogari kujt dhe kur je i pastër sigurisht që vepron me kurajo. Uroj që të kenë patur dhe kolonë të pestë brenda, se nuk ka asnjë polici në botë që nuk ka informator brenda kundërshtarit. Kështu që, në mënyrë të beftë, me veprim të shpejtë dhe inteligjent ata i kapën protestuesit “me presh në duar”, me rreth 45 bomba molotovë. Mendoja që thjesht janë shishe që i bëjnë vetë, janë artizanale, por ato ishin gati të fabrikuara, të gatshme dhe këtu duhet të punojë prokurori dhe të hetojnë se ku e kanë burimin, ku prodhohen dhe kjo ka shumë rëndësi”, tha Havari në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN.
Sipas tij, protestuesit duhet të dënohen.
“Ka vite të tëra që këta që ushtrojnë dhunë kundër Policisë së Shtetit nuk ndëshkohen. Ama, në të gjitha rastet, në presionin që ka bërë kjo forcë politike që shkon te komisariatet dhe i terrorizon, i fyen, i kërcënon, jam i sigurt që dhe gjykatat intimidohen dhe i i lënë të lire. Ata kur shohin që s'ka penalizim, kthehen sërish dhe kryejnë të njëjtin mision. Ja çfarë thotë Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë sot për kundërshtimin e forcave të rendit në krye të detyrës. Neni 236: kundërshtimi i punonjësit të policisë. Kur një person kundërshton me forcë policinë gjatë ushtrimit të detyrës, ndëshkohet deri në tre vjet burgim; goditje me sende të forta dënohet një deri pesë vjet burgim; nëse shkaktohen dëmtime më të rënda, shtohen dhe nenet përkatëse për plagosje që mund të çojnë dënimin deri në 10 vjet burgim. Përdorimi i molotovëve, mjeteve ndezëse, shkatërrim prone me zjarr, përdorimi i molotovëve ku konsiderohet zjarrëvënie e rrezikshme, dënimi tre deri në 10 vjet burgim; mbajtja, përdorimi i mjeteve të rrezikshme pa leje si ato 45 që thamë më parë, dënimi një deri në 7 vjet burgim”, u shpreh Havari.
(A2 Televizion)