
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe aktivisti Aulon Kalaja ka depozituar në Policinë e Tiranës një kallëzim penal ndaj oficerëve të Policisë së Shtetit, të cilët sipas tij e kanë dhunuar gjatë protestës së 17 prillit.
Në një video mesazh të shpërndarë për mediat, ai deklaron se, është paraqitur dhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për të hartuar ekspertizën mjeko-ligjore, për dëmet që i janë shkaktuar.
“Para dy ditësh kam dorëzuar kallëzimin penal në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për dhunën që më është shkaktuar në protestën në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Një dhunë e pajustifikueshme nga policia, kam marrë spraj shumë të fortë në 3 drejtime dhe jam goditur dy herë me shqelma nga dy policë të ndryshëm me skafandër. Kam qenë shtruar në Spitalin ushtarak dhe kam marrë edhe epikrizën. Kam bërë kallëzim për të dalë e vërteta në shesh dhe autoritete të nxjerrin para përgjegjësisë policët që më kanë dhunuar barbarisht. Kjo të jetë kambanë alarmi për dhunën policore në atë protestë”, deklaroi kalaja në një video mesazh të shpërndarë për mediat.
Ai deklaroi gjithashtu se Policia e Shtetit më ka proceduar për veprën penale, “Goditje për shkak të detyrës”, që parashikon dënim, nga 1 deri në 5 vjet burg. (A2 Televizion)