
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha pas publikimit të një mesazhi në WhatsApp, ku ky i fundit dyshohet se u është referuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si “idiotë”.
Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit, Berisha e cilësoi këtë qëndrim si të papranueshëm dhe me tone të forta, duke e akuzuar Hoxhën për qëndrim antishqiptar. Sipas tij, një gjuhë e tillë është e papajtueshme me detyrën e një zyrtari të lartë të politikës së jashtme.
Berisha deklaroi se Hoxha është sjellë “si një nacionalist i verbër serb dhe maqedonas” dhe shtoi se dorëheqja duhet të kishte ardhur menjëherë pas publikimit të mesazhit, në vend të përpjekjeve për ta mohuar apo fshehur atë.
“Kjo është deklaratë kriminale, antishqiptare e turpshme për një gangster që ka humbur çdo integritet, çdo element të ndërgjegjes kombëtare dhe tejkalon, barazohet me ultra nacionalistët më të verbër maqedonas dhe serbë. Dorëheqja e tij urgjente është akti i domosdoshëm.
Ky etiketim që iu bëri dhe përpjekja e turpshme që bëri për ta fshehur, e përgëzoj zotin Këlliçi, i cili zbuloi një akt të tillë kriminal, të pashembullt.
Të quash idiotë shqiptarët e RMV se nuk mbrojnë Pashiqin, kryeministrin më të mirë të serbëve pas Pashiqit, Edi Ramën, do të thotë se je tradhtar më keq se ai.
Gjuhë gangsteri dhe vagabondi për të cilën duhet të japë dorëheqjen dhe jo të fshihet se nuk është thënë. I nxorri mesazhet e ambasadorit. Shiko çfarë gangsteri e drejton politikën e jashtme. Akt i padëgjuar ndonjëherë se nuk mbrojtën ata Edi Ramën. “, tha Berisha.
(A2 Televizion)