Analisti Ermal Hasimja ka ngritur alarmin se fuqizimi i krimit të organizuar në Shqipëri ka arritur një nivel të tillë, sa tashmë ka hyrë edhe në radarët e politikës amerikane. Në Off the record në A2 CNN ai tha se, bota e errët e krimit shqiptar është bërë aq e dukshme, sa është perceptuar si problem strategjik edhe në kontekstin e hemisferës perëndimore, të cilën SHBA e konsideron zonë me interes të drejtpërdrejtë.
“Bota e errët e krimit në Shqipëri tashmë është fuqizuar aq shumë ka qenë aq e suksesshme sa i ka dalë në radar edhe amerikanëve në atë që në strategjinë e vetë Trump quhet Western Hemisfer dhe që konsideron kopshtin e vet privat”, tha ai në A2 CNN.
Hasimja theksoi në A2 CNN se qeveria e kryeministrit Edi Rama ndodhet në një pikë kthese historike, duke theksuar se ka probleme me qytetarët, ndërkombëtarët dhe me vetë botën e krimit.
“Jemi në një pikë të madhe kthese. Ka një problem gjigant. Domethënë Edi Rama e ka problemin tashi Edi Rama dhe Rilindja në tërësi si model, si filozofi e gjithçka se nuk është vetëm Edi Rama. Ka një problem me qytetarët shqiptarë, ka një problem me ndërkombëtarët. Sikur të ishte vetëm kjo do ishte puna kollaj. Ka dhe një problem me pjesën e botës së errët, në botën e krimit”.
Sipas Hasimjas, situata bëhet edhe më e rrezikshme kur individë që nuk kanë asnjë mandat politik rezultojnë më të fuqishëm se ministra, duke ushtruar presion direkt mbi ta.
“Në këtë moment, Rama nuk mund të shihet më si një aktor i pavarur që vendos vetëm nën presionin e opinionit publik apo të ndërkombëtarëve. Ekziston një presion paralel nga bota e errët, që nuk mban asnjë kosto elektorale”, theksoi ai.
Analisti paralajmëroi në A2 CNN se kjo situatë mund ta çojë vendin drejt dy skenarëve: ose një tërheqje të Ramës përmes negociatave politike, ose rrëshqitjen drejt një modeli autoritar, të ngjashëm me regjimet e Azisë Qendrore. Sipas tij, kjo e bën momentin aktual një nga pikat më të rrezikshme dhe më vendimtare të gjithë tranzicionit shqiptar. (A2 Televizion)