Sali Berisha do të jetë pa rivalë në garën për kryetar të Partisë Demokratike. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale një ditë pas skadimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave ka vendosur që të mos pranojë aplikimin e Mereme Selës dhe Vladimir Mulajt, të cilët kishin shprehur ambicie për t’i zënë vendin Berishës.
KOKOE në mënyrë unanime vlerëson se zj. Mereme SELA nuk plotëson kriteret. Konkretisht kandidatja pavarësisht se është anëtare e PD, nuk plotëson kriterin e figurës me profil shumë të lartë publik dhe politik, si dhe atë të eksperiecës drejtuese elektorale ne nivel kombëtar apo rajonal.
Vendimi
Surprizë ishte kandidatura e Vladimir Mulaj e cila u mësua vetëm në mbyllje të operacioneve, pasi askush nuk kishte njoftuar për aplikimin e tij. As ai vetë.
KOKOE në mënyrë unanime vlerëson se z. Vladimir MULAJ nuk plotëson kriteret statutore. Konkretisht kandidati pavarësisht se është anëtar i PD nuk plotëson kriterin e figurës me profil shumë të lartë publik dhe politik, si dhe atë të eksperiencës drejtuese elektorale ne nivel kombëtar apo rajonal.
Vendimi
Në vendimin e KOKOE citohet se kërkesa për të qenë kandidatë janë paraqitur edhe nga subjekte të tjera, si Ervin Salianji, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu, të cilat nuk janë marrë as në shqyrtim.
Kërkesat e tjera të paraqitura, për shkak se nuk plotësojnë kushtin e paraqitjes nga anëtar të PDSH-së, nuk mund të trajtohen nga KOKOE dhe as nga ndonjë organ tjetër i PDSH-sipas Statutit të Partisë. Ky Statut përcakton norma dhe rregulla bashkëjetese midis anëtarëve të PDSH si dhe kompetencat dhe sjelljen institucionale të organeve të kësaj force politike.
Vendimi
Në këto kushte, Berisha shkon i vetëm në garë, por në kundërshtim me statutin e Partisë Demokratike, që përcakton se kryetari që humbet zgjedhjet e përgjithshme konsiderohet i larguar automatikisht dhe nuk mund të garojë për një mandat tjetër.
Paralelisht me zgjedhjet për kryetar, proces për të cilin nga kandidatët e skualifikuar është paralajmëruar betejë edhe në gjykatë, pritet që PD të ketë edhe ndryshime statutore. Grupi i Punës për ndryshimet në statut, miratoi këtë të premte kalendarin e punimeve ku nga data 1 deri në 10 Maj, do të depozitohen propozimet nga anëtarët e partisë. Ndryshimet statutore pritet të miratohen në Kuvendin Kombëtar të 30 majit. (A2 Televizion)