
Një debat mbi reformën në drejtësi u zhvillua mes avokatit Plarent Ndreca dhe deputetit Enkelejd Alibeaj.
I ftuar në emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli në A2CNN, Enkelejd Alibeaj iu kthye ashpër avokatit Plarent Ndreca, duke e akuzuar Partinë Socialiste se ka tentuar të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, këto ndërhyrje cenojnë pavarësinë e institucioneve dhe minojnë reformën në drejtësi.
Alibeaj: Një opinion që nga momenti kur thuhet që “bebja” (i referohet sistemit të drejtësisë) ka nevojë të edukohet, madje të edukohet nga politika.
Ndreca: Jo, nuk e thashë këtë.
Alibeaj: Pra nga politika që është nën bankën e të pandehurve? Ky është fundi i sistemit.
Ndreca: Kush e tha këtë?
Alibeaj: Ky është fundi i moralit politik. E përdor edhe ti, e përdor edhe ti. Prandaj u referohem. Në fakt, “bebja” s’e kam përmendur ndonjëherë. Unë s’kam thënë asnjëherë dhe s’e pranoj asnjëherë që sistemi i drejtësisë të mund të jetë pjellë e vullnetit politik. Ishte vetëm një moment në 2016. Madje, të gjithë e dimë dhe duhet të kemi kurajon civile për ta thënë: i kapën për veshi ndërkombëtarët, mbase në atë pikë si njërin dhe tjetrin, dhe thanë “do e votoni”.
Ndreca: A e ke votuar ti në sallë?
Alibeaj: Nuk kam qenë. Nuk kam qenë, por edhe po të isha do ta votoja. Një minutë pra: nga momenti që ai sistem u krijua, në momentin zero, ai ka rrugën e vet për të ecur. Madje, kush ka sens shteti, shtetformues, dhe sigurisht politika duhet ta ketë, duhet ta lërë të rritet dhe të mos ia presë këmbët që në fillim, siç po ndodh së paku nga mazhoranca.
Ndreca: Unë opinion po bëj.
Alibeaj: Por ama të thuash që ka ardhur koha që politika të ndërhyjë për ta “edukuar”, kjo do të thotë të kërkosh: kush duhet ta edukojë këtë “bebë” atëherë?
Ndreca: E para, “bebja” është në thonjëza. E dyta, për sa kohë “bebja” është në thonjëza, edhe “edukimi” është në thonjëza. Pra, edukimin e bën Gjykata e Apelit, e bën Gjykata e Lartë, pra vetë sistemi e bën i pari. Pastaj edhe politika, kur sistemi është korporatist. Pra, në qoftë se sistemi kthehet në sistem korporatist dhe problemet janë sistemike, dikush duhet të ndërhyjë. Kush ndërhyn në finale? Kush është pushteti që ndërhyn?
Alibeaj: Jam plotësisht dakord me pjesën që korrigjimet duhet të vijnë brenda sistemit të drejtësisë. Patjetër. Por ama, korrigjime të natyrës politike, siç është për shembull fakti konkret – jo më metafor – që kryeministri i vendit, për një rast konkret, ka depozituar një iniciativë ligjore për t’i hequr, për t’i “shkulur dhëmbët” SPAK-ut në rastin e marrjes së masës së sigurimit “pezullim nga detyra”, që është në ligj që nga viti 1995, dhe vetëm në rastin kur erdhi për zëvendëskryeministrin e vet. Kjo pastaj nuk është më edukim. Ky është kërbaç. (A2 Televizion)