Skadimi i afatit për dorëzimin e kandidaturave në garën për kreun e Partisë Demokratike u shoqërua me kaos dhe tensione në Selinë Blu, ku katër aspirantë që synonin të sfidonin Sali Berishën gjetën dyert e mbyllura dhe u detyruan të dorëzonin dokumentet në recepsion. Akuza për farsë elektorale dhe përjashtimi i tyre nga gara thellojnë përplasjen e brendshme, duke paralajmëruar një betejë që mund të zhvendoset në dyert e gjykatës.
Skadimi i afatit për dorëzimin e kandidaturave për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike shkaktoi tensione në selinë e PD-së. Në minutat e fundit katër aspirantë për të sfiduar Sali Berishën iu drejtuan selisë për të dorëzuar zyrtarisht kandidimin, disa personalisht e disa me të dërguar të posaçëm, por gjetën godinën bosh.
Mjekja Mereme Sela ishte e para që tentoi të dorëzonte dosjen e saj të kandidimit, por zyra e Komisionit të Organizimit të Operacioneve Elektorale ishte e mbyllur dhe në vend të saj, dosja përfundoi në recepsionin e PD-së, shkruan A2.
Tensioni në parti filloi kur në seli u paraqitën të dërguarit e posaçëm të Alesia Balliut dhe Ervin Salianjit, të cilët ngritën akuza direkte ndaj lidershipit të partisë për farëse elektorale.
Për të dokumentuar se zyrat ishin të mbyllura, bënë një shëtitje, shoqëruar nga kamerat e televizioneve në transmetim live.
Por, edhe këtë herë dosjet e kandidimit mbetën te recepsioni i partisë dhe në mungesë të kundërfirmosjes nga zyrtarë të PD-së, shfrytëzuan kamerat e televizioneve si provë se dokumentet u dorëzuan brenda afatit.
Përmes avokatit thotë se ka dërguar kandidaturën edhe shqiptaro-amerikanja Evi Kokalari, që gjithashtu nuk është pranuar: “Në orën 9:30 AM, avokati im në Tiranë ka shkuar në selinë e PD-së për të dorëzuar dosjen e aplikimit dhe roja nuk e ka lënë të hyjë brenda, por i ka komunikuar, pasi ka folur me dikë brenda, që: “nuk pranojmë zarfe.” Ndërkohë, avokati ua ka bërë të qartë që është aplikimi im. Do ta nisim me DHL dhe do t’ua dërgojmë atyre që duhet, me tekst dhe email përpara afatit të skadencës. Clowns!!!”
Me skadimin e afatit, figurat e larta të PD-së filluan të paraqiteshin në seli, dhe nëse këto kandatura do të jenë sfidantë të Berishës apo jo, e tha Flamur Noka: “Kandidatura të Ergys Agasit, nuk pranohen”.
Udhëzimi me kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët ishte tepër strik, ku krahas teserës së partisë dhe kushtit që të mos kenë qenë të dënuar, kandidatët duhet të kenë pasur eksperiencë në pozicionet drejtuese të PD-së në 10 vitet e fundit, çka automatikisht i rrëzon katër aspirantët Ervin Salianji, Alesia Balliu, Evi Kokalari dhe Mereme Sela. Refuzimi i kandidimit të tyre, mund ta çojë konfliktin e brendshëm në dyert e gjykatës.
Në finale, kandidat i vetëm për kryetar PD-je mbetet Sali Berisha, i cili për kundërshtarët e tij të përjashtuar, nuk legjitimohet për të kandiduar duke e argumentuar qasjen se Statuti i Partisë ndalon rikandidimin e kryetarit që ka humbur zgjedhjet. Çka janë sinjale se vera do të jetë e nxehtë për PD-në në dyert e Gjykatës, për të caktuar se kush është kryetari legjitim i partisë pas 23 majit. (A2 Televizion)