Gazetari Neritan Sejamini ngriti shqetësime lidhur me vonesat në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, veçanërisht për çështjet që prekin qytetarët e zakonshëm, si pensionet dhe pronat.
I ftuar në studion e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN Sejamini tha, se një nga problemet më të mëdha në Gjykatën e Lartë dhe gjykatat administrative janë pikërisht çështjet e pensioneve, ku shumë qytetarë presin për vite të tëra për një vendim përfundimtar.
Sejamini theksoi se debati publik është përqendruar shpesh tek çështje politike apo simbolike, duke lënë në hije problemet reale të drejtësisë që prekin drejtpërdrejt qytetarët.
“Një nga çështjet kryesore në Gjykatën e Lartë dhe gjykatën administrative të vendit janë çështjet e pensioneve… janë raste të shumta. Para disa kohe ishte një lajm që nuk bëri shumë bujë, por ishte një fakt: 12 pensionistë që prisnin vendimin për pensionet e tyre kishin vdekur.”
“A kemi ne të dhëna të analizimit të të gjitha çështjeve që janë në drejtësi? Sa zgjat një çështje sot? Sa mbarojnë në shkallën e parë, sa shkojnë në apel, sa kthehen mbrapsht?”
“Viktimat kryesore për arritur këtë qëllim kanë qenë qytetarët e thjeshtë… janë këto qindra mijëra dosje që presin me vite.” (A2 Televizion)