Inceneratori i Tiranës, Këlliçi: SPAK të ndalojë vjedhjen, përgjegjës dhe prokurorët

Nga A2 CNN
8 Janar 2024, 16:02 | Politikë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit, Belind Këlliçi vijoi edhe këtë të hënë akuzat ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për inceneratorin e kryeqytetit.

"Pronari real i kësaj sipërmarrje korruptive, Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, ka reaguar vetëm një herë, pas arrestimit të krahut të tij të djathtë, Taulant Tushës, të cilin Veliaj e bëri kurban për të shpëtuar lëkurën e tij.  Erion Veliaj pretendon se është një nga 5 klientët e biznesit korruptiv të Inceneratorit të Tiranës. Por faktet tregojnë të kundërtën. Erion Veliaj është pronari real.  Erion Veliaj është i vetmi që si pronar që jep urdhra se cila kullë duhet të paguajë për depozitimin e inerteve dhe cila jo. Kujtojmë këtu e-mailet për kompaninë Arlis Ndërtim, pronari i së cilës ka ndërtuar 7 kate pa leje përballë zyrës së kryebashkiakut. E-mailet për kullën pas Sahatit. E-mailet për Teatrin Kombëtar.  Erion Veliaj është i vetmi që si pronar i janë dhuruar 1 milionë euro nga paratë e Inceneratorit të Tiranës, në zgjedhjet e vitit 2019.  Erion Veliaj është i vetmi që si pronar, inceneratori i paguan një faturë 300.000 euro për të marë makina në favor të Policisë Bashkiake.  Erion Veliaj është i vetmi që si pronar vendosi të gjithë strukturën e Bashkisë Tiranë në shërbim të biznesit të dherave, strukturë e cila përdori tre lloje policish, Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake dhe Policinë Private të Agron Malajt, për të persekutuar dhe gjobitur të gjithë ndërtuesit e Tiranës dhe jo vetëm."

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Këlliçi kërkoi nga SPAK të ndërpresë kontratën për inceneratorin duke shtuar se nëse nuk ndodh kjo gjë përgjegjës do të jenë dhe prokurorët.

"Kemi hyrë tashmë në vitin e katërt të hetimeve për këtë çështje, kemi depozituar pranë SPAK me qindra faqe dhe dokumenta, ndaj sërish sot i bëjmë thirrje SPAK të veprojë në mënyrë urgjente duke ndalur këtë vjedhje, duke anuluar këtë kontratë korruptive dhe të vendosë sa më parë përpara përgjegjësisël igjore, pronarin e vërtetë të Inceneratorit të Tiranës, Erion Veliajn. Nga sot përgjegjës për çdo qindarkë abuzim me këtë kontratë, janë dhe prokurorët të cilët me mosveprimet e tyre, po e lejojnë këtë vjedhje flagrante të ndodhë." (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos