Sali Berisha u paraqit sërish në SPAK këtë të hënë. Në zbatim të masës së sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”, lideri opozitar hyri në godinën e qelqtë për pak minuta dhe pas daljes tregoi, mesazhin që kishte lënë për Altin Dumanin.
“Qëndrimi mbrojtës ndaj krimit elektoral i Altin Dumanit, përbën një krim të rëndë antikushtetues në shërbim të narkoshtetit dhe kreut të tij, Edi Rama”.
Kreun e Prokurorisë së Posaçme e akuzon për amnisti të krimeve elektorale, pasi siç pohoi, Altin Dumani po bllokon hetimin e padive të dorëzuara nga demokratët.
“PD ka dorëzuar gjatë fushatës elektorale mbi 15 padi, të cilat natyrisht do kenë fatin e të gjitha padive të tjera, sepse në krye të amnistisë së krimit elektoral, qëndron vetë Altin Dumani, shërbëtor i shpifur i Ulsi Manjës dhe Arben Rakipit, i keqpërdorur në shkallë ekstreme nga Edi Rama”.
Gishtin e akuzës e drejtoi edhe ndaj gjyqtares Irena Gjoka. Teksa mbante një dokument në duar, deklaroi se ishte prokura që Gjoka kishte pajtuar avokat në shtetit fqinj për të zhbërë vendimet e drejtësisë helene kundër saj, pretendim që është mohuar publikisht nga gjyqtarja.
“Ky dokument vërteton se ajo është dëbuar nga shteti grek. Vërteton se ajo është dënuar nga shteti grek. Vërteton se ajo ka mashtruar shtetin shqiptar qoftë për dënimin, qoftë për dëbimin. Ajo publikisht e ka mohuar që kurrë nuk kam pasur gjëra të tilla, ndërkohë ka marrë prokurë për t’i hequr këto masa”.
Berisha u pyet edhe për rezultatin e 11 majit, ku pohoi se diaspora ka votuar masivisht për Partinë Demokratike por sipas tij gjithçka është manipuluar nga socialistët. (A2 Televizion)