
Gazetari Lutfi Dervishi ka ironizuar klimën politike në vend, duke kritikuar njëkohësisht mazhorancën dhe opozitën.
I ftuar në emisionin “Off The Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, përballë sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Nokës, Dervishi u shpreh se dobësimi i qeverisë nuk ka prodhuar forcim të opozitës, por përkundrazi ka ekspozuar krizën e të gjithë klasës politike.
Sipas tij, kriza aktuale nuk është vetëm e Ramës, por edhe e modelit opozitar që nuk po arrin të frymëzojë besim apo alternativë reale për qytetarët.
“Qeveria ka rënë por ka zënë poshtë edhe opozitën”, ironizoi ndër të tjera Dervishi.
Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, bëri të ditur se lista e anëtarësisë së PD do të pësojë ndryshime, por jo në formën e një “spastrimi”.
Sipas tij, procesi synon rifreskimin dhe përshtatjen e strukturave të partisë me realitetin e ri demografik të vendit.
Noka theksoi se gjatë 13 viteve opozitë kanë ndodhur ndryshime të mëdha, përfshirë shpopullimin dhe lëvizjet masive të qytetarëve nga fshatrat drejt qyteteve, nga qytetet drejt Tiranës dhe jashtë Shqipërisë. Këto zhvillime, sipas tij, e detyrojnë PD-në të riorganizohet dhe të ndërtojë një databazë reale të anëtarësisë. (A2 Televizion)