Ish-kreu i Krimeve të Rënda: Mazhoranca dhe opozita bëhen bashkë te gardhi i SPAK

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2026, 20:37 | Politikë

Avokati Eugen Beçi, ish-drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se “edhe mazhoranca, edhe opozita e gjejnë pikën e përbashkët” sa i përket drejtësisë në vendin tonë, por, sipas tij, “e gjejnë pikën e përbashkët vetëm te gardhi i Prokurorisë së Posaçme”.

“Është një histori e vjetër në Shqipëri, problemi i qasjes së politikës me drejtësinë. Duket se mazhoranca në momentet që nuk e ka oreksin e mirë me drejtësinë, e sulmon. Gjithashtu, edhe opozita bën po të njëjtën gjë dhe të dyja palët harrojnë që momenti të cilin ato u dakordësuan me 140 vota plot puthje, plot përqafime, ishte momenti më i rëndësishëm për ata që të kuptonin që nesër nuk mundet të flisnin më tej. Ishte momenti më i rëndësishëm që ata të kuptonin që të nesërmen, kur t'u vinte në derën e tyre një problem që ata e quajnë të padrejtë, nuk mundet të sulmonin në këtë formë. Deri para pak kohësh, ne shikonim një mazhorancë që e lëvdonte më tepër sesa duhet drejtësinë dhe një opozitë që e shante më tepër sesa duhet drejtësinë. Duket se rolet nuk është se janë ndryshuar, por opozita dhe mazhoranca duket sikur po i qasen dhe po i afrohen njëra-tjetrës vetëm në momentin kur ato sulmohen nga drejtësia”, tha Beçi.

“Atë drejtësi që ata prodhuan, e prodhuan pikërisht për këtë arsye, për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Atëherë, në rast se mazhoranca mburret dhe thotë që i është dhënë fund pandëshkueshmërisë, problemet dhe kritika që ata duhet të nxirrnin duhet t'i kishin nxjerrë që në fillim. E njëjta gjë edhe për opozitën. Në momentin që opozitës i “sulmohet” nga drejtësia një anëtar i saj apo një kryetar, opozita bën të njëjtën gjë. Thelbi këtu është i tillë. Në rast se kishit vendosur të mbështesnit pa kushte, pa u lodhur, pa kritikuar dhe pa bërë opozitë në momentin që do votonit Reformën në Drejtësi, sot është vonë për të folur. Sot është vonë për të folur për shumë arsye sepse ishin ata politikanë të cilët nuk u menduan dy herë për të vendosur disa rregulla dhe disa procedura të cilat nuk janë parë në asnjë vend të botës, për të vendosur disa rregulla dhe disa procedura të cilat sot prodhuan një drejtësi të shkatërruar. Prodhuan një drejtësi të shkatërruar në përgjithësi, se juve i referoheni kryesisht vetëm Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme, por kjo nuk është drejtësia, është një 1/100 kësaj drejtësie. Vërtetë Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme mund t'i kenë dhënë fund asaj që ne quajtëm pandëshkueshmëri, por fjala është në standartet që kërkon populli shqiptar, a jemi te drejtësia dhe a e përmend ndonjë nga këta politikanë ndonjë standart të cilin është prekur? Po ta vini re, të dyja palët, edhe mazhoranca, edhe opozita e gjejnë pikën e përbashkët. Por, e gjejnë pikën e përbashkët vetëm te gardhi i Prokurorisë së Posaçme. A ke dëgjuar ti të artikulojë ndonjë nga anëtarët e mazhorancës apo ndonjë nga anëtarët e opozitës faktin që në Shqipëri dosjet zvarriten pafundësisht? A ke dëgjuar që në Shqipëri një nga anëtarët e mazhorancës apo të opozitës të flasin për padi civile të zvarritura, për padi administrative të zvarritura, për njerëz që futen dhe mbahen në burg, në paraburgime pafund dhe nuk dënohen? Të gjitha këto artikulime të këtyre problemeve duket se mazhoranca dhe opozita i ka harruar dhe ne duket se jemi fokusuar te gardhi i Prokurorisë së Posaçme, aty në krah të kamerave dhe gazetarëve të kronikës dhe kemi harruar që Shqipëria është edhe diku tjetër. Shqipëria është edhe në një rreth ku për një konflikt gardhi zihen dhe nuk e zgjidhin për disa vite dhe arrijnë në vetëgjyqësi. Shqipëria është edhe për një burrë që nuk ndahet dot nga gruaja. Shqipëria është edhe për një pronë që nuk merret dot kurrë në tërë këto vite. Dhe në tërë këto elementë unë them që për sa i përket pjesës më të madhe, mazhoranca dhe opozita bien dakort që drejtësia nuk funksionon”, shtoi avokati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos