SPAK vendosi të mos nisë procedim penal ndaj Niko Peleshit, vetëm tre javë pasi opozita e kallëzoi për “shpërdorim detyre” lidhur me mosmbledhjen e Këshillit të Mandateve pikërisht për kërkesën e vetë SPAK në Kuvend për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Vendimi e lë betejën politike dhe ligjore të zhvendosur tashmë në Gjykatën Kushtetuese, nga ku pritet verdikti që do të përcaktojë edhe fatin e kërkesës së SPAK ndaj zëvendëskryeministres.
Prokurorisë së Posaçme i mjaftuan 3 javë për të vendosur mbi fatin e kallëzimit penal të grupit parlamentar të Partisë Demokratike ndaj Niko Peleshit. A2 CNN iu drejtua zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme me një kërkesë për informacion nga ku u mësua se ndaj kryeparlamentarit Peleshi ishte regjistruar kallëzimi, por më pas ishte vendosur mosfillimi i procedimit penal.
“Në përgjigje të kërkesës suaj, të protokolluar në Prokurorinë e Posaçme, ju informojmë si vijon: Nga verifikimi i kryer rezulton se është regjistruar kallëzim penal dhe brenda afatit të parashikuar nga ligji është vendosur për mosfillimin e procedimit penal”, thotë SPAK.
Arsyeja se përse PD kallëzoi Peleshin ishte refuzimi i tij për të mbledhur Këshillin e Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e po vetë SPAK, për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut. Diçka e cila për demokratët ishte shpërdorim detyre nga ana e Niko Peleshit.
Çështja e imunitetit të zëvendëskryeministres vijon të mbetet pezull deri në një vendimmarrje finale nga Gjykata Kushtetuese e cila pritet t’i jap përgjigje pyetjes së Edi Ramës, nëse një gjykatë, qoftë edhe me kërkesë të SPAK, të pezullojë nga detyra një anëtar të qeverisë. Kjo vendimmarrje kushtetuese do t’i hap rrugë edhe mbledhjes së Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK, nga ku më pas do të orientojë seancën plenare nëse do ta dorëzojnë imunitetin e ballukut pas kërkesës për heqje imuniteti do t’i përgjigjen me kartonë të kuq. (A2 Televizion)