Për avokatin e njohur Genc Gjokutaj, autori i arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj është kryeministri Edi Rama.
Gjokutaj tha në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN se fillimisht shefi i qeverisë e ekzekutoi politikisht Veliajn, duke e lënë të pambrojtur edhe juridikisht përballë SPAK.
“Ai është autori i arrestimit. Një njeri që të pushkaton politikisht, juridikisht ke marrë fund. Absolutisht Edi Ramës është autori. Mbas ekzekutimit politik, Rama bëri llogaritë, ky Erjon Veliaj duhet arrestuar para apo mbrapa zgjedhjeve. I intereson përpara se ai ishte plotësisht i sigurt që ai nuk do punonte për votat e Edi Ramës më 11 maj. Ky është i çakorduar dhe dezorientuar. Flet për procedurë penale kur s’ia ka idenë ç’është procedura penale. Erion Veliajn e hoqi si drejtues politik të Tiranës. Ky është mesazh. Vuri Ogerta Manastirliun. Hoqi një të verbër dhe vuri një shurdhmemec”, tha Gjokutaj në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN.
Sipas avokatit, kritikat që Rama po i bën Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme janë derivat i frikës që kryeministri ndjen, pasi kryebashkiaku i Tiranës përfundoi pas hekurave.
“Erionit i ka bërë nder, e para që e ka çu në Durrës. E dyta, ju nuk e dini që deri tani është vepruar me veprën penale “shpërdorim i detyrës” që të mos ju preket pasuria. Tani shtrëngesa, duhet të kuptoni se kur plas zjarri, zjarrfikësja do shkojë dhe ky po pyet për b*th të tij. Dhe ky nuk pyet më për Partinë Socialiste, nuk e ka merakun e partisë”, u shpreh Gjokutaj në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN.
Më tej, Gjokutaj ngriti dyshime për rrugëtimin politik të kryeministrit Rama, kur deklaroi se pozitat e tij përballë drejtësisë, por edhe ndërkombëtarëve do të ndryshojnë tej mase deri në datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Këtë e gënjen mendja se do marrë edhe këto zgjedhje se nuk e di çfarë po ndodh. Ka një problem tjetër. Ky jalla ta mbërrijë 11 majin politikisht. Do ta shohim... Kësaj radhe raporti me ndërkombëtarët ka ndryshuar katërcipërisht. Ke një kryeministër të inceneratorit. Nuk e hap SPAK-u për Veliajn se del Rama. SPAK-u është një pavion politik i Partisë Socialiste. Duhet të ishte qeveria dhe rezervat brenda. Sot me një drejtor të këtyre nuk flet dot, se ju gjenden piktura nga 50 milionë lekë në shtëpi”, deklaroi Gjokutaj në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN. (A2 Televizion)