
Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu ishte sot në mbrëmje në shërbimin e Djegie-Plastikës në QSUNT, ku vizitoi punonjësit e policisë që mbetën të plagosur nga molotovët e protestuesve, raporton A2CNN.
Koçiu thotë se ata që goditën punonjësit e policisë janë kriminelë të organizuar, dhe nuk kemi të bëjmë me protestë, por me tentativë vrasjeje.
“Ledio 26 vjeç, Kreshniku 38, Enesi 21, Klevi 27, Bledari 27. Kundër tyre e kolegëve të tyre u përdorën molotovë, bomba artizanale të mbushura me lëndë djegëse, gurë, çdo gjë me të vetmin qëllim për goditur e dhunuar ata që janë në krye të detyrës. Dua ta them qartë! Ata që goditën punonjësit e Policisë nuk janë protestues. Ata janë kriminelë të organizuar. Kur godet me të tilla mjete e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë të rënda.
Kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje. Pres nga institucionet ligjzbatuese të reagojnë fort ndaj kësaj sjellje të përsëritur të dhunës nga disa element kriminal të nxitur nga persona me imunitet që inkurajojnë dhunën”, tha ministrja në një deklaratë për mediat. (A2 Televizion)