Duhet një reformim i thellë i klasës politike. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, koloneli Dritan Demiraj, sipas të cilit nuk mund të krahasohet PD me PS-në, pasi kjo e fundit ka 13 vite në pushtet dhe ka përgjegjësi për situatën aktuale në vend.
“Ajo që po them është që ajo që ka ndodhur në këto 13 vite, depopullimi, planifikimi, pra një plan i planifikuar, i qëllimshëm për të larguar shqiptarë nëpërmjet keqqeverisjes, nëpërmjet largimit nga puna të personave më të shkolluar, nëpërmjet varfërisë, nëpërmjet dhunës, nëpërmjet mungesës së arsimit, shkencës, shëndetësisë, e të gjitha gjërave, ekonomie skandaloze, nëpërmjet ë goditjes së personave që kanë mbështetur Partinë Demokratike, bizneseve apo njerëzve që kanë mbështetur Partinë Demokratike dhe pastaj hapja e websajteve jashtë shtetit, kryesisht në Indi, Bangladesh, dhe në vende të tjera në Filipine për t'i ofruar qytetarëve të saj pasaporta false dhe mbështetje financiare, është e padrejtë. Dhe pikërisht për këtë arsye më në fund populli shqiptar, rinia shqiptare pa dallime partiake është ngritur kundër kësaj klase politike”, tha Demiraj në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Ai pranoi se Partia Demokratike ka përgjegjësitë e saj, por theksoi se shumë nga problematikat e ngritura sot nga protestuesit janë denoncuar prej vitesh nga opozita.
“Është e pamoralshme të krahasosh Partinë Socialiste me Partinë Demokratike për të vetmen arsye sepse prej 13 vitesh Partia Socialiste është në pushtet dhe arroganca dhe shkelja në mënyrë të vazhdueshme e ligjeve, apo e kërkesave të qytetarëve edhe e Partisë Demokratike është e papranueshme dhe ka dhe për rrjedhojë ka sjellë këtë qasje, këtë provokim të këtyre protestave. Së dyti, dhe Partia Demokratike ka përgjegjësitë e veta, sepse përgjatë këtyre 36 viteve ka pasur vitet e saj në drejtim. Por një pjesë e madhe e të gjithë këtyre problematikave janë problematika të cilat në mënyrë të vazhdueshme, të përditshme janë denoncuar nga Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar. Sigurisht që dhe një pjesë e madhe e njerëzve që janë bashkuar protestave, një pjesë e qenësishme, e cila nuk mund të neglizhohet dhe të injorohet janë mbështetës të Partisë Demokratike”.
Demiraj theksoi se është për reformimin e të gjithë klasës politike në vend, ndërsa shtoi se PD është në proces reformimi.
"Unë jam për reformimin e klasës politike. PD është në proces reformimi. Le të përfundojë ky proces dhe pastaj të gjithë do të kemi integritetin për të thënë të vërtetën, për t'i rënë ose për t'i mbështetur këto reforma”.
(A2 Televizion)