“Je njësoj si Berisha dhe Meta”, Rama i përgjigjet “sy më sy” komentuesit: Edhe emrin e ke problematik

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2025, 14:29 | Politikë

“Je njësoj si Berisha dhe Meta”, Rama i përgjigjet

Kryeministri Edi Rama zgjodhi t’i përgjigjet një komentuesi, sipas të cilit arritjet në fushën e turizmit nuk ishin merita e qeverisë, por e Zotit që kishte krijuar këtë vend të bekuar, duke e cilësuar kreun e qeverisë njësoj si Berishën dhe Metën. Në rubrikën “Sy me sy” me ndjekësit  në Facebook, Rama tha se qeveria socialiste përmbysi imazhin e keq të vendit dhe bëri që mediat botërore të flisnin për Shqipërinë si destinacion turistik.

“Nuk është merita jote që të vinë më shumë turistë, është merita e Zotit që na ka fal një vend të bukur e të bekuar, por është për të ardhur keq që nuk kemi ditur të zgjedhim njerëzit e duhur për të na drejtuar, se edhe ti njësoj me Berishën dhe me Metën je. Nuk ke asnjë ndryshim, prandaj më mirë rri rehat sa të kesh pushtet se inshallah të vjen dhe ty radha siç ju erdhi atyre të luftosh në gjykata e burgje”, i shkruante komentuesi Sali Kurra në Facebook, kryeministrit.

“Merita e Zotit! D.m.th ftesa për Shqipërinë si vend nderi i panairit global të Berlinit për turizmin! Çudi e madhe! Punët tona të mira janë të Zotit, ndërsa kur bie shi edhe në tre orë sa në 3 muaj, dhe kur ndodhin përmbytje si kudo në Europë është faji im, është faji i qeverisë. Lind pyetja: Po pse kur na e fali Zoti këtë vend të bukur e të bekuar kur erdha unë në qeveri, apo kur Zoti bëri botën dhe vuri shqiptarët këtu? Me që jemi njësoj, pse nuk vinin turistët edhe përpara se të vinte PS në qeveri. Meqë detet, lumenjtë malet aty ishin pse nuk na zinte njeri në gojë për këto bukuri, por vetëm për plehrat dhe gjithë të zezat. Dhe kush e përmbysi këtë histori të marrëdhënies së botës me ne dhe i bëri mediat e botës që të flasin për Shqipërinë si destinacion turistik? Zoti? Po pse u kujtua Zoti vetëm këto vite kur jemi ne në qeveri dhe jo më përpara kur qeverisnin ata që e bënë këtë vend zhele, katran me bojë në sytë e botës? Dhe që nuk ua hidhte sytë askush, fare”, u përgjigj kreu i qeverisë.

Pa kursyer edhe batutat për emrin e komentuesit, Rama tha se është ndryshe nga Berisha dhe Meta dhe premtoi ditë më të mira për vendin.

“Eh more Sali Kurra, se edhe emrin e profilit falso e ke vënë goxha problematik. Siç thotë populli: Zoti ndihmon ata që ndihmojnë vetën, dhe Shqipërinë turistike e bëmë ne me rilindjen urbane dhe me politikë dinjitoze dhe plot punë të tjera në të gjitha drejtimet. Kur Shqipëria ftohet në panairin global të turizmit në Berlin, ftohet se kemi punuar për këtë ditë. Dhe ditë më të mira do të vijnë se punojmë për to, se nuk jemi të gjithë njësoj, por ne jemi shumë më ndryshe. Ne jemi vetë ndryshimi”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos