Sali Berisha beson se në 11 maj do të jetë forcë fituese dhe do të marrë në dorë frenat e vendit. Në një konferencë për mediat, teksa u pyet për parashikimin e Edi Ramës dhe sondazhet që nxjerrin fituese Partinë Socialiste, Berisha i quajti mashtrime dhe tregoi rezultatet e anketave që ka bërë vetë Partia Demokratike.
“Sondazhet tona tregojnë se në zgjedhjet e lira, fitimtar absolut është PD, dhe me zgjedhje të lira, partia e krimit kthehet në vitin 1992”.
Pohon se ka marrë garanci për zgjedhje të lira nga Bashkimi Evropian, pasi siç tha Brukseli po vëzhgon me imtësi procesin në Shqipëri.
“Nuk ka më sy të mbyllur, por janë të hapur katërcipërisht dhe prozhektorët, jo vetëm tonë, por edhe të Europës dhe miqve tanë kudo, janë të përqendruar në këtë proces zgjedhor”.
Por nëse dhe kjo vëmendje e shtuar e Bashkimit Evropian nuk garanton zgjedhje të lira, Berisha teksa njoftoi se kanë depozituar denoncimet e para për krimet zgjedhore, përsëriti kërcënimin për bandat se do shpallen organizata terroriste nëse prekin votën e shqiptarëve.
“Ne i garantojmë se krimi zgjedhor do të quhet krim i rëndë, do të kualifikohet krim i rëndë dhe ky është zotim solemn elektoral dhe se, organizatat kriminale që po angazhohen në krimin zgjedhor, do të bëjmë gjithçka për ti shpallur, organizata terroriste, jo vetëm Shqipëria, por edhe faktori ndërkombëtar”.
Sërish i bën thirrje kundërshtarit që të pranojë debatet publike në media dhe e akuzoi Ramën se po përdor kodin mafioz të heshtjes. (A2 Televizion)