Kryetari i LZHK dhe njëherësh drejtues i Koalicionit Djathtas për Zhvillim, deputeti Dashamir Shehi, ka zhvilluar një takim me shqiptarët e Italisë.
Takimi u mbajt në Fermingano Urbino dhe të pranishëm veç z. Shehi ishin Daniele Grossi, kryetar i Bashkise Sasscorvaro Pesaro Urbino, znj. Arjana Kosova, kryetare e shoqatës së mësuesve shqiptarë në Itali, z. Ylber Dibra, kryetar i LZHK për diasporën në Itali dhe z. Arben Muça, nënkryetar i LZHK.
Shehi gjatë fjalës së tij tha se emigrantët shqiptarë kudo nëpër botë kanë nevojë për solidaritet me njëri-tjetrin dhe jo për t’u futur në sherr për partitë politike, shkruan A2 CNN.
Po ashtu, Shehi tha se koalicioni që ai përfaqëson, pra ‘Djathtas për Zhvillim’, mban numrin 9 në fletën e votimit. Ai tha se kandidati Ylber Dibra do të përfaqësojë shqiptarët e diasporës në zgjedhjet e 11 majit.
“Ju jeni vëllezër, jeni miq, keni nevojë për solidaritet me njëri-tjetrin. Nuk keni nevojë me u nda ju për votën, a do hyjë Dashi në Tiranë apo do hyjë Edi Rama. Ju nuk keni nevojë që pas datës 12 të uleni në dy kafe të ndryshme këtu, një rozë dhe një blu.
Ligji është bërë që të votohet te shtëpia jote, duke bërë muhabet me gruan... Nuk është bërë që të votohet në klub bashkarisht në mënyrë kolektive. Ligji është bërë të zgjerojmë hapësirën e lirisë, jo që të zgjatojmë atë që ndodh në Tiranë edhe në Diasporë. Ne numrin 9 kemi, por ju votoni si ta ndieni ju në shpirt.
Vetëm mos u bëni pjesë e këtij sherri të madh këtu. Po mos të më kishte ftuar Ylberi, nuk kisha për të ardhur. Sepse e kam bërë tezë politike këtë, që politika po shkon po ngatërron shqiptarët e diasporës.
Ne kemi vënë Ylberin si kandidat i Diasporës dhe kryetar i LZHK për Italinë. Ylberi përfaqëson edhe Shkodrën, një qytet të madh që i ka dhënë shumë Shqipërisë. Ai do të jetë këtu për ju, për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve tuaja”, tha Shehi, shkruan A2 CNN.
(A2 Televizion)