
Kreu i Partisë Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi se opozita ndodhet në kilometrin e fundit të përballjes me qeverinë, duke theksuar se protesta është mjeti kryesor deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti. Ai akuzoi qeverinë për asgjësimin e parlamentit dhe kufizimin e rolit të opozitës, ndërsa nënvizoi se PD do të intensifikojë veprimet me qytetarët.
“Jemi në kilometrin e fundit. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që problemet që ne kishim i kemi lënë mbrapa. Tani kemi një problem. Dhe ky është problem Edi Rama, pushteti i krimit. Dhe ne duhet të qëndrojmë me të me të gjithë forcën. Koha provon se protesta është arma jonë më kryesore. Ky asgjësoi parlamentin, si kurrë ndonjëherë. Parlamenti është inekzistent. Nuk lejon asnjë komision hetimor parlamentar. Nuk pranon asnjë interpelancë. Nuk pranon asnjë debat me mocion. Deputetëve tanë nuk iu sjellin informacionin, dokumentet sipas ligjit të detyruar. Ai jep një jo një, po 1000 arsye që ne të braktisim parlamentin. Ne nuk e bëjmë atë. Jo. Pikërisht se ai do. Ne nuk e bëjmë atë. Por ne, ne do bëjmë gjithçka me qytetarët kundër tij, gjersa të largohet nga pushteti. Ky është qëndrimi ynë. Ne jemi legjitim në çdo akt kryengritje paqësore ndaj këtij regjimi”, tha Berisha.
Berisha vuri theksin edhe te forcimi i strukturave të partisë, duke kërkuar organizim të plotë në çdo territor dhe rritje të anëtarësimeve. Sipas tij, mijëra qytetarë janë të gatshëm t’i bashkohen PD-së, por nevojitet më shumë angazhim nga drejtuesit lokalë për t’i afruar dhe për të zgjeruar bazën e partisë.
“Ne jemi në fazë zgjedhjesh në parti dhe unë shfrytëzoj rastin t'ju uroj të gjithë anëtarët e partisë që kanë marrë pjesë në këtë proces në rrethe dhe degë, si dhe të zgjedhurit, kanë zgjedhur me votën e tyre, demokratët që u kanë besuar më shumë. Ky proces vazhdon në përputhje me statutin, bazuar në votën e anëtarëve, dhe në tërësi ka ecur, është një proces civil, dinjitoz. Dua ta vazhdojmë me vendosmëri zgjedhjen e kryesive dhe siç kemi theksuar edhe disa takime të tjera, motoja jonë do të jetë organizim. Mos harroni se Partia Demokratike në mënyrën më të pamerituar, me qëllim vendosjen e saj në kontroll të plotë nga ata që kurrë nuk duhet ta kontrollonin, pësoi tronditje të mëdha. Dhe nuk është se patëm, kemi patur përqëndrimin e duhur në organizimin tonë. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa organizimi tani. Unë çdo kryetari i them zonja apo zoti kryetar, veten tënde para së gjithash duhet ta masësh me njohuritë që ke për çdo seksion të Partisë Demokratike në degën tënde. Ne jemi parti e madhe. Ju garantoj se jemi parti e madhe. Por kjo nuk mjafton, kjo garanci. Jo. Jeni ju që duhet të vërtetoni për për vetë për vetë përgjegjësinë tuaj kryesore. Jeni ju që duhet të dini me përgjegjësi të madhe shtrirjen territoriale të Partisë Demokratike, anëtarësinë e Partisë Demokratike. Nuk mund dhe nuk duhet të ecim më pa një verifikim, një inventarizim të plotë, jemi parti e terrenit, të pranisë sonë në terren me seksionet. Kërkoj që çdo ditë ju të keni një grafik dhe ky grafik të ketë detyrë të parë pikërisht vërtetimin, verifikimin, territorial të shtrirjes territoriale të Partisë Demokratike. Kjo kërkon që ju të vraponi testit, me këmbë, me mjete, me si të mundeni, të kontrolloni, të shkoni në çdo zonë, në çdo territor, patjetër”. (A2 Televizion)