“Jemi në një luftë hibride", Rama në CNN: Protesta për Zvërnecin e nxitur, i njohim armiqtë

Nga Indrit Maraku
4 Qershor 2026, 13:28 | Politikë

Në një intervistë për rrjetin ndërkombëtar CNN, kryeministri Edi Rama shpjegoi çfarë po ndodh në Shqipëri me protestat e nisura kundër projektit zhvillimor në Zvërnec, duke nënvizuar se vendi ndodhet në luftë hibride, ku po sulmohet me një mori lajmesh të rreme.

“Jemi në një luftë hibride. Shqipëria është nën sulm nga armiq që i njohim shumë mirë, është nën sulm nga konkurrenca që është shumë, shumë e fortë në pjesën tonë të Mesdheut, është nën sulm nga qindra mijëra bots të krijuar për të krijuar këtë stuhi. Sigurisht, në këtë protestë ka plot njerëz me qëllime të mira, të rinj, të interesuar sinqerisht për ambientin, që janë mashtruar fort. Nuk ka asgjë të tipit “ishulli i familjes Trump”, nuk ka asgjë të tipit familja e Presidentit amerikan që kap zona të mbrojtura ku flamengot do të vriten. Nuk mund të jetë më larg se kaq nga e vërteta”, tha Rama, shkruan A2.

Kryeministri theksoi se nuk ka ende asnjë projekt për zhvillimin e Zvërcenit dhe kush flet për të tilla, bazohet në pamje të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe të hedhura në rrjet: “Duhet të më dëgjoni mua sepse nuk ka asnjë projekt. Dhe për ta bërë këtë projekt, ata, pra grupi, i cili nuk përbëhet vetëm nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump, është një grup më i gjerë me investitorë me reputacion shumë të lartë. Ata kanë angazhuar 5 nga arkitektët më të mirë në botë sot. Kengo Kuma nga Japonia, Bjarke Ingels nga Danimarka, Emre Arolat nga Turqia, K-Studio nga Greqia, Jean Nouvel nga Franca, dhe këta njerëz po punojnë së bashku me inxhinierë të nivelit të lartë të mjedisit, njerëz të nivelit të lartë me ndikim social”. 

Sipas Kryeministrit Rama, impakti ambiental jo vetëm që nuk po injorohet, por sfida, sipas tij, është bashkekzistenca e nevojës për zhvillim dhe respektit ndaj natyrës: “Ndërkohë, është angazhuar një nga kompanitë më të mëdha konsulente për ndikimin mjedisor. Sepse sfida nuk është të ndërtohet qyteti. Sfida nuk është të derdhet beton mbi kokën e flamingove. Sfida është të vërtetohet se zhvillimi dhe natyra jo vetëm që mund të bashkëjetojnë, por natyra dhe zhvillimi kanë nevojë për njëra-tjetrën, sepse njerëzit meritojnë të jetojnë në një lloj tjetër mjedisi ku duhet të shijojnë dhe duhet të tregojnë respekt”. 

Sipas Ramës, e gjithë kjo stuhi e krijuar enkas nuk ka të bëjë me Jared Kushner apo Ivanka Trump, por me qëllimet për të ndalur projektet e tij që duan ta kthejnë Shqipërinë në një model zhvillimi, në bashkëpunim me qindra nga arkitektët më të mëdhenj në botë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos