“Unë mendoj se opozita mund të bëjë shumë më tepër se kaq edhe në gjendjen në të cilën në të cilën ndodhet. Mendoj se kjo është si ajo pajisja që kur të pushon zemra të kthen impulset. Tani, kjo drejtësia e re po mundohet që të kthejë pak impulset edhe tek opozita, por edhe tek popullata”.
Kështu u shpreh juristja Edlira Çepani në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.
Sipas saj, “ka një apati totale në të cilën neve kishim rënë komplet në gjumë”.
“Ka një teori që janë të gjithë bashkë, ka një teori që janë të gjithë të këqinj, ka një teori tjetër që janë dy kampe të cilat janë tifozë dhe unë mendoj se këto janë si ato goditjet për t'i thënë edhe popullatës, por edhe politikës, që askush nuk është i pandëshkueshëm. Ky është rasti i parë shumë pozitiv që po ndodh me disa eksponentë. Është për mirë apo është për keq për çështjen e drejtësisë së gjithsecilit prej tyre individualisht, këtë do ta tregojë koha në momentin kur do të merren vendimet. Se këto janë të gjitha vendimet në proces. Por, nga ana tjetër politikisht unë mendoj se i jep opozitës një shtysë të madhe dhe një moment për ta përdorur. Do ta përdorë apo jo, e ka në dorë opozita vendimin”, tha juristja.
“Nga ana tjetër, i jep njerëzve në dorë për të kuptuar se çfarë duhet të kërkojnë nga politika dhe për të kuptuar se çfarë duhet të kërkojnë edhe në mënyrë jo sipërfaqësore për të kuptuar se cilat janë proceset politike për të cilët edhe ata vetë janë përgjegjës. Edhe njerëzit vetë të cilët votojnë janë përgjegjës për procese të caktuara dhe janë përgjegjës edhe për të kërkuar drejtësi për situata të caktuara”, shtoi Çepani. (A2 Televizion)
