Jorida Tabaku takime me zyrtarë gjermanë në Berlin, zbardhen temat e diskutimit

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2025, 16:23 | Politikë

Jorida Tabaku takime me zyrtarë gjermanë në Berlin, zbardhen

Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht Kryetarja e Komisionit për Mediat dhe Drejtave të Njeriut, Jorida Tabaku, ka zhvilluar sot disa takime të rëndësishme në Berlin, në kuadër të angazhimit të saj për forcimin e demokracisë dhe përparimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Gjatë vizitës së saj, Tabaku u takua me deputetin gjerman Knut Abraham, me të cilin diskutoi në mënyrë të detajuar mbi gjendjen e demokracisë në vend, lirinë e medias dhe nevojën urgjente për standarde të forta zgjedhore. Ajo theksoi se transparenca dhe media e pavarur janë themeli i një sistemi demokratik funksional dhe i rikthimit të besimit të qytetarëve tek institucionet.

Në një tjetër takim me Peter Beyer, kryetar i grupit të miqësisë së Bundestagut me Ballkanin Perëndimor, si dhe me deputetin David Preisendanz, Tabaku trajtoi një panoramë më të gjerë politike dhe ekonomike. Diskutimet u fokusuan tek ndikimi që qeverisja, mjedisi mediatik dhe integriteti zgjedhor kanë mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ajo nënvizoi rëndësinë që zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe proceset demokratike të besueshme përbëjnë për rrugëtimin europian, shkruan A2 CNN.

Tabaku u shpreh se e ardhmja e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me institucionet e qëndrueshme dhe reformat që prodhojnë rezultate të matshme. Ajo deklaroi vendosmërinë për të avancuar këto prioritete në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe miqtë e Shqipërisë në Gjermani dhe BE. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos