Një ditë pas zbardhjes së kërkesës së plotë të Këshillit të Ministrave drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për rrëzimin e vendimit që pezullon nga detyra numrin dy të qeverisë, Sali Berisha i del në mbrojtjes Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme. Berisha pohoi se GJKKO dhe SPAK nuk kanë shkelur asnjë ligj me pezullimin nga funksionet qeveritare të Belinda Ballukut.
“Gjykata speciale dhe prokuroria në vlerësimet e tyre nuk kanë shkelur asnjë ligj, me kërkesën që kanë bërë për pezullimin nga detyra. Me kërkesën për pezullim nuk ka asnjë shkelje ligjore. Ka ushtrim të plotë të kompetencës në zbatim të ligjit të procedurës penale”, tha Berisha.
Sipas kreut të PD, gjykata do të duhej që të kishte marrë të njëjtin vendim edhe për Ramën.
“Vetë ideja se ka marrë pushtetin e kryeministrit, i them atij hajduti, je ti që ke vjedhur paratë, por atyre mirë ua bënë që nuk lëshuan edhe ndaj teje, të njëjtin urdhër si ndaj Lubisë. Ç’kompetencë ka marrë? Kompetenca jote qenka për të mbrojtur hajdutët. Kompetenca jote qenka për të shfrytëzuar postin për të vjedhur paratë e qytetarëve, siç ke vjedhur”.
Berisha kërkoi nga SPAK dhe GJKKO që të rikualifojnë veprën penale për të cilën akuzojnë zëvendës kryeministren, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi sipas tij abuzimet janë kryer si pjesë e një grupi kriminal, ku përfshin edhe Edi Ramën, shkruan A2 CNN.
“Kërkoj me urgjencë rivlerësimin, rikualifikimin e veprës së tyre. Nuk mund të kalohet nga një vjedhje e madhe në një vjedhje tjetër të madhe. U zhdukën 400 milionë euro të inceneratorëve. Tani janë me qindra e qindra milionë të tjera dhe përsëri nuk kemi grup të strukturuar kriminal, nuk kemi organizatë kriminale në një kohë kur Edi Rama kryeson një organizatë të vërtetë kriminale që është qeveria e tij”.
Kreu i Partisë Demokratike foli edhe për përmbytjet në vend, ku akuzoi qeverinë për paaftësi në përballimin e situatës, ndërsa pohoi se deputetët e tij do të dalin me nisma për zhdëmtimin e plotë të pasojave te qytetarët e prekur. (A2 Televizion)
