Vendimi i Kushtetueses për Ballukun, Rama: Gjykata lejoi rimarrjen peng të qeverisë!

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2026, 09:57 | Politikë

Vendimi i Kushtetueses për Ballukun, Rama: Gjykata lejoi rimarrjen peng

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që la në fuqi vendimin për pezullimin e Belinda Ballukut si zv.kryeministre, duke u shprehur se kjo gjykatë nuk e gjeti forcën për të mos lejuar rimarrjen peng të qeverisë, raporton A2CNN.

Nga podkasti i tij "Flasim", Rama po ashtu theksoi se do të vazhdojë beteja për të rigarantuar pavarësinë e ekzekutivit nga gjyqësori.

Kryeministri tha se Shqipëria u bë shembulli i parë i asaj që ai e cilësoi një "budallallëk botëror", duke iu referuar vendimit të Kushtetueses për Ballukun. 

"Shënimi i fundit i ditës, por jo për nga rëndësia, është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës  në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi.  Kështu, Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e Mosarsyes.  Por fakti është që mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministers, e cila, që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks dhe një luks i rrallë që mund ta kërkosh, por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve politike e mediatike, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi", tha Rama.

"Sidoqoftë, zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive  të parlamentit nga pushteti gjyqësor. Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, - është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, - por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë", vijoi kryeministri. 

Gjykata Kushtetuese nuk mundi të plotësonte numrin e votave të nevojshme për të vendosur mbi ankimin e kryeministrit. Kësisoj, ndarja e votave 4 me 4 solli automatikisht rrëzimin e ankimit të kryeministrit për shkak se nuk u arrit shumica vendimarrëse.

GJKKO, me kërkesë të SPAK, pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku, por Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij. Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos