Vendimi i GJK për Ballukun, Rama: S’gjeti forcën për të mos lejuar rimarrjen peng të qeverisë

Nga Anesti Barjamemaj
8 Shkurt 2026, 13:09 | Politikë

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut dhe rrëzoi pretendimet e qeverisë, Edi Rama zgjodhi të mos heshtë.

Në podkastin e tij “Flasim”, kreu i ekzekutivit e la në fund të shënimeve të javës këtë vendimmarrje të trupës kushtetuese, duke e cilësuar si ligjërim të pengmarrjes së qeverisë.

 “Shënimi i fundit i ditës, por jo për nga rëndësia, është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi”, tha Rama.  

Vendimin e 8 gjyqtarëve e quan rast unik në botë dhe thotë se anëtarët e Kushtetueses u mbytën me një lugë ujë.

 “Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e mosarsyes”, vijoi ai.

Premton vijimin e betejës për pezullimin e numrit dy të qeverisë, duke premtuar zhbërjen e asaj që e quan shpikjeje 100% “Made in Albania” të drejtësisë së re.

 “Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë”, u shpreh kryeministri.

Sipas Ramës vijimi i betejës, nuk lidhet me emrin e Ballukut, por me parimin, pasi siç thotë një prokuror mund të marrë vendim edhe për pezullimin e Presidentit të Republikës.

 “Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse”, përfundon ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos