Partia Demokratike ka kërkuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve që të mos certifikojë rezultatin e votave të diasporës.
Përmes një kërkese urgjente të dërguar drejt KQZ-së, PD ka kërkuar po ashtu edhe auditim të procesit të votimit nga jashtë, shkruan A2 CNN.
Në kërkesën e PD drejtuar KQZ-së, thuhet se te emigrantët kishte shumë zarfe që kishin mbërritur bosh, kishte mostransparencë, mospërputhje në numrin e zarfeve të ardhura dhe fletëve të numëruara, si dhe problematika të tjera.
Kujtojmë se Partia Demokratike e ka kundërshtuar në tërësi procesin e zgjedhjeve të 11 majit, duke e cilësuar si të paracaktuar nga qeveria, përmes mekanizmave të jashtëligjshme që sipas tyre kanë përdorur.
Ndërkohë në vijim mbetet për t'u parë se çfarë aksioni politik do të ndjekë Partia Demokratike dhe opozita në tërësi, për të kundërshtuar zgjedhjet e 11 majit.
(A2 Televizion)