Avokatja Adriana Kalaja, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se nuk do të kthehet në strukturat e Partisë Demokratike nëse nuk ndryshon mënyra e të bërit opozitë.
Ajo kujtoi se në foltoren e parë ishin 16 mijë vetë sepse “ishte dëshira për të ndryshuar dhe për ta ngritur demokratin në nivelin e opozitarit”.
“Kështu që, unë do të vazhdoj luftën përballë padrejtësisë, por edhe PD-ja duhet t’i thërrasë mendjes dhe të pyesë veten nëse ka nevojë për ndryshime në strukturë. Patjetër që ka nevojë. Unë rikthehem në PD nëse shoh qasje të ndryshimeve në parti, por nuk kam pse kthehem nëse gjërat vijojnë njësoj. Aty kam qenë dhe më është mbyllur dera në shumë raste. Nëse nuk reflektojmë për gabimet, por bëjmë gjueti shtrigash… Unë i kam ngritur problemet në mbledhje, por shikoj që nuk ka ndryshim”, deklaroi Kalaja.
“A do mbajnë përgjegjësi njerëzit që kanë ndjekur këtë strategji të gabuar? Unë nuk kam pse rikthehem në detyrë kur nuk ka një qasje tjetër Partia Demokratike. Sot duhej diskutuar se çfarë ndodhi me Avokatin e Popullit, jo sepse unë isha kandidate, por sepse njerëzit kanë nevojë për një reagim korrekt. Duhet të ngremë të gjitha problemet dhe të vëmë pikat mbi i. Ne po përsërisim gabimet”, shtoi Kalaja. (A2 Televizion)