"Protesta ka nevojë për frymë", Nard Ndoka: Sorosin e kishe këtu kur ishte PD në pushtet

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2025, 21:18 | Politikë

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka hedhur dyshime mbi efektivitetin e protestave të opozitës, duke theksuar se problemi kryesor nuk është numri, por mungesa e frymës dhe kohezionit politik brenda Partisë Demokratike.

I ftuar në emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli, Ndoka u shpreh se protestat janë të shëndetshme dhe të domosdoshme në një demokraci, por sipas tij, sot PD nuk ndodhet në gjendjen e saj më të mirë organizative.

“Protestat do të organizohen me frymë, jo vetëm me organizime. Sot Partia Demokratike, për fat të keq, nuk është në kohezionin e vet”, deklaroi Ndoka.

Ai solli në vëmendje strukturën e PD-së në Tiranë, duke theksuar se kryeqyteti ka 24 degë partie, të cilat, sipas tij, teorikisht mund të nxirrnin dhjetëra mijëra protestues.

“Vetëm Tirana ka 24 degë. Me nga 1 mijë persona secila, bëhen 24 mijë veta. Por kjo nuk ka ndodhur. Pra, fryma nuk ekziston as brenda”, tha ai.

Duke komentuar deklaratat e bëra më herët nga Ilirjana Kuçana për mobilizimin e strukturave, Ndoka u ndal te llogaritë numerike, duke i quajtur ato të pamjaftueshme për të prodhuar ndryshim politik real.

“Edhe sikur të flasim për 7-8 mijë veta, kjo nuk e rrëzon qeverinë. Mos ta banalizojmë fenomenin me llogari mekanike”, u shpreh Ndoka.

Ai sqaroi se ideja e tij nuk ka të bëjë me aktivistët tradicionalë të PD-së, të cilët, sipas tij, janë të pranishëm në çdo protestë, por me njerëz jashtë strukturës partiake.

“Po flasim për njerëz ekstra, qytetarë jashtë strukturës, që do duhet të rezistojnë gjatë gjithë natës rreth Kryeministrisë. Ky është propozimi im”, tha Ndoka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos