“Me fshesën te partia po i del dyshemeja”, Ndoka: Lidershipi i PD nuk e ka të qartë realitetin në terren

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2025, 21:10 | Politikë

“Me fshesën te partia po i del dyshemeja”, Ndoka: Lidershipi i

Nard Ndoka, kryetar i PDK, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se Partia Demokratike nuk e ka të qartë realitetin në terren.

“Me atë Kod Zgjedhor, e djathta nuk mund të fitojë më. Vetëm me dy qarqe, Fier dhe Vlorë, Rama fiton. Për fat të keq, edhe sot PD-ja nuk e artikulon këtë realitet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. E dyta, sot PD-ja mblodhi Këshillin Kombëtar pas 6 muajsh. Këshilli duhej mbledhur para se të niste Parlamenti”, tha fillimisht Ndoka.

“Opozita duhet të ngrinte aksionin e vet politik. U hap një gropë mosbesimi edhe mes militantëve dhe ky boshllëk zgjati shumë, 6 muaj. Qytetarët sot e kanë humbur shpresën te opozita dhe fatkeqësisht, lidershipi i PD-së nuk e ka të qartë realitetin në terren. Këto flasin si UFO. Akoma e kanë mendjen te “fshesa” te partia. Nuk e kuptojnë që me fshesën po i del dyshemeja partisë sepse nuk kanë çfarë fshijnë më. Duhej krijuar një frymë me prurje të reja, me hapje të partisë, me vizion…”, shtoi Ndoka.

Sipas tij, ende nuk është parë “një rikompozim i PD-së”.

“Si nuk mban asnjëri përgjegjësi… Kjo është ajo që i mungon opozitës, pjesa morale dhe besimi i qytetarëve. Por, janë probleme që rregullohen sepse nuk është se opozita nuk mund të ringrihet. Është moment kalimtar”, theksoi më tej Ndoka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos