Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në mbledhjen e Kryesisë së kësaj partie, e ka cilësuar si “marrëveshje me hije të errëta korruptive” atë mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për ndërtimin e kampeve të emigrantëve në vendin tonë.
“Edhe marrëveshja tërësisht e dyshimtë me Italinë për emigrantët e paligjshëm, është një marrëveshje tashmë e denoncuar qartë edhe në mediat më serioze italine, dhe institucionet europiane, me hije të errëta korruptive. Si në Itali, dhe Shqipëri, madje emergjenca e emigrantëve, është kthyer në një gjenerues korrupsioni dhe fakt është dhe kampi që duhet të përfundonte në maj, dhe nuk dihet nëse përfundon në fund të dimrit”, tha Meta.
“Kjo tregon gjithashtu qartë, se gjoja emergjenca e emigrantëve është përdorur për interesa politike, partiake reciproke, ashtu sikurse u sajua emergjenca e plehrave, për të justifikuar mega aferën e inceneratorëve. E cila është vetëm në fillimet e para të saj. Ndaj në këtë situatë është detyra e PL., të përmirësojë dhe fuqizojë organizimin e saj në të gjithë vendin”, shtoi Meta. (A2 Televizion)