“Kazermat i kthyem në universitete”, Ali Ahmeti: Edhe unë sot e kam Skënderbeun në Shkup

Nga A2 CNN
2 Maj 2024, 12:50 | Politikë

Ali Ahmeti u shfaq i emocionuar në sallën e këshillit bashkiak në Tiranë, ku iu dorëzuar titulli “Qytetar Nderi” nga kryebashkiaku Veliaj për kontributin e dhënë për bashkësinë shqiptare.

Lideri i BDI ia dedikoi këtë nderim të gjithë bashkëluftëtarëve të tij, duke listuar dhe disa nga arritjet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Iu falënderoj nga zemra. Kjo është Tirana e Adem Jasharit. Kjo është Tirana e Zahir Pajazitit, por kjo është edhe Tirana e Xhev Krasniqit. Kjo nënë Tirana, Shqipëria ka qenë e varfër, por ne na ka mbajtur ngrohtë. Ju falënderoj, por një plak më tha mos e falënderoni njëri-tjetrin pasi ju të gjithë keni punuar në arën tuaj.

Që kur e kemi nisur veprimtarinë e kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare. Rrethanat ndryshuan dhe ne ndryshuam strategjinë, duke parë gjeopolitikat, strategjitë dhe u përkushtuam në çlirimin e Kosovës. Shqiptarët që morën pjesë në luftën e Kosovës, ca u vranë në burgjet e Idrizovës, dhe kjo ishte situatë e papërballueshme. Shqiptarët në RMV ishin të diskriminuar. Sot ju e keni Skënderbeun në qendër të Tiranës, por edhe unë e kam në Shkupin e vjetër. Ju e keni flamurin kombëtar, por edhe unë dënohem nëse nuk e kam në zyra. Ia kemi marrë kazermat Mlladicit. Kemi 3 universitete. Kemi dhe shumë punë për të bërë.

Do doja t’iu falënderoja për mbështetjen që na ka dhënë shteti shqiptar. Unë e njoh Tiranën e 1991 dhe sot nuk e njoh, humb në të dhe nuk e di ku jam. Tirana është krejt tjetër dhe kjo gëzon çdo shqiptar. Do të përpiqem të jem qytetar i disiplinuar. Çdo aktivitet që do të kemi, do të jem pjesëtar. Këtë nder unë e ndaj me të gjithë bashkëluftëtarët, të burgosurit politikë në RMV dhe Kosovë. E ndaj me 3000 mbetje mortore që i kam në vendlindje, që janë vrarë për këtë gjuhë e këtë flamur”, tha Ahmeti.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos