Këlliçi: SPAK të zgjohet. Paratë e inceneratorëve, haraç për mafian italiane

Nga A2 CNN
18 Mars 2024, 15:14 | Politikë

Belind Këlliçi vijoi denoncimet sa i përket çështjes së inceneratorëve. Sipas tij, paratë publike kanë kaluar jashtë Shqipërisë nëpërmjet kompanive te Klodian Zotos.

“Sipas QKB rezulton se në nëntor të vitit 2022 Gëzim Guga, përfituesi në Itali i pagesave nga Klodian Zoto, së bashku me Ilir Dedja dhe Mirsada Guga, kanë regjistruar kompaninë e punësimit dhe konsulencës MIG AGENCY shpk. Në vitin 2020 Prokurorët italianë i kanë dërguar homologëve shqiptarë ndër të tjera informacion për shtetasin Ilir Dedja, i datëlindjes 02.09.1969, për dyshime se pastron paratë për Klanin Mafioz NDRAGHETA, si dhe informacion që shtetasi Klodian Zoto është ndaluar në aeroport në Itali dhe i janë sekuestruar 22.650 euro. Pra edhe pse këta shtetas ishin nën hetim, organet ligjzbatuese nuk i kanë ndaluar të transferojnë shuma të konsiderueshme parash. Dhe e gjitha kjo nën hundën e SPAK, pasi të mos harrojmë se procedimi penal për inceneratorët ishte regjistruar që në vitin 2020, vit në të cilin prokurorët italianë ndezën alarmin e dyshimeve për Dedjan dhe Zoton”, tha Këlliçi.

Ai deklaroi se këto fonde janë haraç për klanin mafioz të ‘Ndrangheta-s në Itali. Ai i kërkoi SPAK qe te zgjohet dhe te veprojë. “SPAK duhet të zgjohet menjëherë nga gjumi letargjik, pasi po bën pis jo vëtëm veten, por të gjithë reformën aq të shpresuar të drejtësisë. Drejtësia me regji, herë me direktivë qeveritare dhe herë me direktive bashkiake, nuk është ajo drejtësi që presin qytetarët shqiptarë. Ndërkohë që Kryetari i Opozitës Sali Berisha, vijon të jetë për të 77 ditë në arrest pa asnjë provë apo një akuzë të vetme, pronari faktik i Inceneratorit të Tiranës Erion Veliaj, drejtorët e tij banditë që kanë vjedhur miliona euro përmes kompanisë 5D Konstruksion, ish Ministri hajdut i konçensioneve shëndetësore Ilir Beqja dhe sigurisht kreu i këtij grupi të strukturuar kriminal Edi Rama, vijojnë të vjedhin e abuzojnë çdo ditë me paratë e qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë. Ky regjim duhet të marrë fund një orë e më parë. Qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë e vetmja zgjidhje për ta çliruar vendin njëherë e mirë nga kjo organizatë kriminale”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos