Ish-aleati i Albin Kurtit, Haki Abazi, mendon se fitorja e arritur nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, është bazuar mbi kurthe politike dhe se në realitet, punët për Kosovën nuk po shkojnë aq mirë.
“Nëse politika e Kosovës, nga një ndërmarrje e madhe që ka arritur të hapë dyert e kancelarive botërore, ta vendosë edhe NATO-n në lëvizje, kemi arritur në thurje këngësh për Albin Kurtin. Do të thotë është një degradim total i debatit politik”, tha Abazi në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur qartësinë në anëtarësimin NATO dhe zgjidhjen e problemit të energjisë, furnizimit me energji elektrike që është baza e zhvillimit ekonomik. Sot Kosova ka tre herë më të shtrenjta faturat e energjisë elektrike. Populli nuk është ndikuar nga kjo punë. Sot Kosova vazhdon të jetë në rënie të lirë sa i përket investimeve të huaja direkte. Popullin nuk e ka marrë parasysh sepse debati është fokusuar në atë që quhet kurthe politike”, shtoi Abazi.
“Tani nëse Albin Kurti me njerëzit e tij do t'i harxhojë edhe njëherë 51% në kurthe politike duke tentuar që ta bëjë skenën politike të Kosovës të ngjashme mes të Shqipërisë, duke shkatërruar parti politike dhe jo duke e ndërtuar vendin, atëherë përfundojmë kësi rezultate me 250 000 të rinj, koka, do të thotë njerëz të edukuar, që lëshojnë Kosovën dhe kthehemi në një përplasje siç e thatë ju që duhet të vijë nga Turqia dikush ta rregullojë ujin e Vlorës. Këtu jemi mbas 10 viteve Kosova me këto kurthe politike duke e lavdëruar Kurtin se paska arritur ta shkatërrojë LDK-në, ose ta vendosë opozitën në Kurth gjatë gjithë kohës, i bie që realisht energjia e tij elektorale edhe fuqia e tij politike është duke u investuar në shkatërrimin e skenës politike dhe jo në mandatin për të realizuar objektiva për qytetarët”. (A2 Televizion)