Tedi Blushi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, i kërkoi kryebashkiakes së Vlorës, Bruna Mersini, që t’i kërkojë falje qytetarëve vlonjatë sepse, sipas tij, janë lënë pa ujë dhe janë përzënë me polici nga protesta.
“Në prag të ndërrimit të viteve, Vlora ishte në katastrofë dhe emergjencë. A do i kërkoni falje qytetarëve të Vlorës, jo vetëm se i latë pa ujë, por edhe se përdorët policinë për të shuar protestën e tyre të ligjshme? Jo vetëm që nuk kërkuat ndjesë, por në kulmin e asaj emergjence gjetët kohë për të organizuar mbrëmje gala në Vlorë”, iu drejtua Blushi kryebashkiakes.
Mersini u përgjigj: “E prisja që të bënit politikë edhe në këto momente. Difekti i ujit është krijuar që në vitin 2009, ne e kemi sqaruar që ai projekt mund të ishte i qëndrueshëm për kohën, por nuk ishte afatgjatë. Pa diskutim, projektet jocilësore do te cedojnë dhe kjo ndodhi. Në asnjë moment qyteti nuk ka qenë i braktisur dhe qyteti furnizohej nga pjesa e depos dhe me bote. Qyteti nuk ka qenë i pafurnizuar”.
Blushi këmbënguli te kërkimi i faljes: “Pra, ju vazhdoni të mos i kërkoni ndjesë qytetarëve të Vlorës?”
“Jo, unë vazhdoj të them që nuk ka vend për të bërë politikë. Po të kujtoni, në Novoselë ka qenë vërtet tragjedi për mënyrën si ishin organizuar gjërat, por sot ka mjete, struktura, shtabe emergjence…”, tha kryebashkiakja e Vlorës.
(A2 Televizion)