I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Alfred Muharremi, këshilltar i Bashkisë Tiranë, tha se ka qenë vullneti politik i Partisë Socialiste që ka ndihmuar në realizimin e reformës në drejtësi. Ai gjithashtu theksoi se falë Partisë Socialiste u hoqën prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar.
“Një nga shtyllat kryesore të Partisë Socialiste ka qenë reforma në drejtësi. Kjo reformë nuk është shoqëruar vetëm me SPAK-un që kemi sot si organ, por edhe me procesin e vetingut, reformën gjyqësore dhe reformën në prokurori. Kemi arritur që më në fund të largojmë pjesën më të madhe të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar në këtë vend, gjë që ka bërë që sot vendimet të jenë më të drejta”, tha zyrtari i Partisë Socialiste.
Ndërkohë, në lidhje me reagimin e opozitës për këtë çështje, Muharremi tha se Partia Demokratike është një parti që synon burgosjen e njerëzve pa një arsyetim të thelluar, duke lënë të kuptohet një qëllim jo objektiv.
“Sot nuk kemi një akuzë ku ngrihet pretendimi, siç e ngre opozita, se ka pasur intimidim apo kërcënim ndaj dëshmitarëve. Nuk kemi sot një akuzë për korrupsion, gjë që vazhdon të aludohet dhe të përgatitet terreni nga opozita për t’u bërë një gjyq politik. Opozita kërkon që njerëzit të jenë në burg, por kanë harruar se në kohën e tyre, kur qeverisnin këtë vend, zyrtarët e korruptuar, të cilët kishin vendime të formës së prerë, firmosnin nga shtëpia për llogari të buxhetit të shtetit shqiptar.”
(A2 Televizion)