PS kundër SPAK. 82 vota pro Ballukut, 3 socialistë “dezertojnë” Ramën

Nga Ervin Koçi
12 Mars 2026, 14:55 | Politikë

Socialistët çuan deri në fund porosinë për të rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që kërkoi nga Kuvendi autorizimin për të vendosur një masë më të rëndë shtrënguese ndaj Belinda Ballukut. Zhvillimi i seancës plenare u bë në limitet e afateve procedurale për shqyrtimin e kërkesës pasi në datën 16 mars skadonte edhe afati i Kuvendit për t’u shprehur me votë ndaj kërkesës së SPAK, shkruan A2 CNN.

Deputetët socialistë u paraqitën herët në sallën e Kuvendit. Një orë para zhvillimit të saj kishin marrë njoftim për mbajtjen e një mbledhje të grupit parlamentar të PS në ambientet e sallës plenare, ku si rrallë herë, i pranishëm ishte edhe vetë Edi Rama.

Prania e kryeministrit bëri që edhe kryeparlamentari të ishte i përpiktë me nisjen e seancës plenare ku në 10:00 çeli punimet e seancës. Por krahu i shumicës në sallë nuk ishte i mbushur plotë. Katër përfaqësues të PS-së mungonin, disa me arsye e disa, nuk dhanë arsye. Konkretisht Fatmir Xhafaj dhe Blendi Gonxhja, njoftuan se ndodheshin jashtë vendit. Mungesa e tretë ishte e Elisa Spiropalit, e cila nuk bëri publike arsyen ndërsa mungesa e fundit ishte vetë Belinda Balluku, që nuk u paraqit për të dhënë qëndrimin e saj për prokurorinë e Posaçme.

Qëndrimet për kërkesën e SPAK i dhanë përfaqësuesit e dy kaheve politike në Sallë. Ulsi Manja në emër të shumicës vijoi t’i mëshonte parimit të prezumimit të pafajësisë, duke shtuar se hetimet për veprën penale që akuzohet Balluku, shkelje e barazisë në tendera, zhvillohen në gjendje të lirë. Dhe sipas tij, ky standard duhet të vijohet të ndiqet sërish. “Garantohet hetimi me masën e sigurisë që është në fuqi, nuk ka nevojë për një masë tjetër shtrënguese”, tha relatori i PS, Ulsi Manja.

Qëndrimet e shumicës në krahun tjetër u kundërshtuan nga opozita. Në mungesë të Gazment Bardhit, të përjashtuar nga punimet, raportin e prezantoi Oerd Bylykbashi i cili në 40 minuta fjalim përmendi disa shkaqe se përse kërkesa e SPAK duhet pranuar. “Shkelje në 11 procedura tenderimi, dënimi nga 10 deri në 35 vite  burg. Duhet të krijojmë barazinë para qytetarëve se të gjithë janë të barabartë para ligjit”, tha ai.

Pas fjalëve, radha i erdhi veprave. Procesi i votimi nga ana e shumicës u konsiderua si trup nga opozita e cila pasi ngriti kartonët jeshil pro SPAK, doli në foltore në pankarta në duar.

Kaq mjaftoi që Taulant Balla të kërkonte ndërprerjen e diskutimeve për pikat e tjera të rendit të ditës dhe kalimin menjëherë në proces votimi. Kjo kërkesë e Ballës këtë herë u bë në kushte të pazakonshme pasi në droje e sipër nga një reagim i mundshëm i opozitarëve, gjatë gjithë punimeve të seancës, u ruaj nga një punonjës i gardës.

Procedurialisht me votimin e seancës plenare, kërkesa e SPAK nuk ka më vlerë juridike, dhe e vetmja mënyrë për të ndryshuar masën e sigurisë ndaj ish-zëvendëskryeministres, është rindërtimi i një kërkese tjetër në Kuvend, në rast se akuzat ndaj sot do të rëndohen zyrtarisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos