Ndërkombëtarët njëzëri i bëjnë thirrje politikës shqiptare që të mos pengojë drejtësinë në çështje të zyrtarëve të lartë. E para që reagoi, para se të niste seanca plenare ku votohej imuniteti i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ishte Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, e cila i bëri thirrje Parlamentit që imuniteti nuk duhet të jetë pengesë, shkruan A2 CNN.
Ambasada britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK. Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit.
AMBASADA E MBRETËRISË SË BASHKUAR
Ambasada e Gjermanisë priti rezultatin e seancës për t’i rikujtuar politikës shqiptare se ndjekja penale e korrupsionit në rangun e lartë është kusht për integrimin.
Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet që ta garantojë këtë proces.
AMBASADA E GJERMANISË
E treta në radhën e reagimeve ishte Ambasada holandeze, e cila kishte të njëjtin apel si britanikët dhe gjermanët.
Komisioni Europian, në një reagim për A2 CNN, nënvizon faktin që lufta kundër korrupsionit është thelbësore për integrimin.
Angazhimi ndaj shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit në BE. Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
KOMISIONI EUROPIAN PËR A2 CNN
Ndërkombëtarëve iu përgjigj Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale, pasi shumica dhe ai vetë votuan kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, u shpreh se nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi nga ana e PS-së si për reformën në drejtësi, ashtu edhe për luftën ndaj korrupsionit, dhe se objektivi primar mbetet integrimi.
Shumica qeverisëse bëri sot, pa asnjë diskutim, atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë, jo për arrestin pa gjyq të një deputeti si kjo kërkesë e sotme, por për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen.
Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as kartë bianko, as dyer të mbyllura për prokurorinë.
Përfitoj nga rasti të theksoj se reforma në drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK mbetet e palëkundur. Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë i patrazuar, as nga pengimi dhe as nga nxitja e SPAK prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor.
EDI RAMA, KRYEMINISTËR
Në reagimin e tij, shefi i mazhorancës qeverisëse nuk la pa ironizuar opozitën, duke i cilësuar si “Shoqata e Molotovarëve të Tiranës”, të cilët sipas tij tani kanë nisur të flasin edhe në emër të Gjermanisë. (A2 Televizion)