Teksa Kuvendi ishte mbledhur për të vendosur për kërkesën e SPAK për Belinda Ballukun, demokratët zhvilluan tubimin e radhës. Qindra protestues kishin mbushur sheshin para Kuvendit, ku së bashku me ta ishin edhe pak deputetë.
Opozitarët që ishin në shesh informoheshin në kohe reale për çdo zhvillim nga Parlamenti. Ishte një protestë e qetë, deri në vendimin e shumicës për imunitetin e Ballukut, që duket se irritoi demokratët.
Me mbylljen e seancës plenare, deputetët demokratë u bashkuan me qytetarët. Për kreun e Partisë Demokratike, vendimi i Kuvendit nuk ishte për të mbrojtur Ballukun por Edi Ramës.
“Edi Rama mendon se mbylli dosjen e tij duke votuar kundër heqjes së imunitetit. Por dosja e tij nuk mbyllet kurrë dhe do ta ketë si gur varri, edhe pas vdekjes në varrin e tij do i vendoset, hajdut, këtu prehet një kryehajdut do shkruhet për të”, tha Berisha.
Para mbështetësve të tij këtë herë zgjodhi që të fliste shkurt, por ato që nuk i tha në shesh i pohoi në shkallët e selisë blu. “Më 22 mars, e gjithë Shqipëria në Tiranë. E gjithë Tirana në rrugë. Të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore gjer në fitoren përfundimtare”, shtoi ai. (A2 Televizion)