Garda e Republikës i ka mohuar akuzat e ish-kryeministrit, Sali Berisha se punonjës të saj kanë pasur armë në sallën e parlamentit. Me anë të një reagimi për mediat, Garda thotë se një pretendim i tillë i Berishës është krejtësisht e pavërtetë.
“Lidhur me pretendimin e disa deputetëve të opozitës, se punonjës të Gardës në seancën parlamentare kanë qenë me armë në sallë, Garda e Republikës sqaron se: Ky pretendim është tërësisht i pavërtetë. Asnjë prej punonjësve të Gardës së Republikës, siç parashikon baza ligjore në fuqi, nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri brenda sallës ku zhvillohen punimet. Garda e Republikës mbetet e vendosur të ushtrojë gjithë përgjegjësitë dhe detyrat e ngarkuara, në funksion të garantimit të ligjit”, thuhet në reagim.
Ky reagim vjen pasi Berisha tha se personi që shtyu Ervin Salianjin në Kuvend, ishte i armatosur.
“Në mënyrë absolute kemi prova se personi i cili fizikisht u shty dhe u kap me Ervin Salianjin, e detyroi Ervin Salianjin ta shtynte në atë mënyrë dhe ai kishte armën. Dihej me emër, mbiemër, personi që kishte armë nën xhiletin”, tha më herët Berisha. (A2 Televizion)