Edhe pse ishin thirrur në interpelancë për të dhënë llogari për anulimin e projektit të portit të Durrësit, për kompaninë e prodhimit ushtarak KAYO, si dhe për sistemin arsimor, kryeministri Rama dhe dy ministrat e tij, ai i Mbrojtjes dhe ai i Arsimit, nuk u paraqitën në seancë. Mungesat i arsyetoi ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Kaq mjaftoi që sallën plenare, për rreth dy orë, ta mbizotëronin diskutimet si për respektimin e procedurës parlamentare, ashtu edhe për integrimin. Opozita, për të disatën herë, i kërkoi qeverisë që ta përfshijë në procesin e integrimit dhe jo ta mbajë si një ekskluzivitet vetëm të saj.
Kryetari i opozitës i kërkoi shpjegime ministrit të Bujqësisë se pse i ka hequr subvencionet e naftës fermerëve në vend.
Me kërkesë të socialistëve u shty për seancën tjetër edhe projektligji për Gardën e Republikës, i cili në vetvete lehtëson kriteret për përzgjedhjen e drejtuesit të këtij institucioni.
Në këtë seancë, tonet e demokratëve dhe socialistëve ishin më të qeta, duke lënë në të shkuarën protestat apo fyerjet ndaj njëri-tjetrit. (A2 Televizion)