Koncensionet në shëndetësi, nis punën komisioni hetimor, miratohet plani paraprak i hetimit

Nga A2 CNN
25 Mars 2024, 16:54 | Politikë

Rikthehen hetimet parlamentare. I fundit ishte ai i pranverës së vitit 2022 për aferën e inceneratorëve. Marrëveshja mes maxhorancës dhe Partisë Demokratike të Rithemelimit pas muajsh kaosi në Parlament tregoi këtë të hënë produktin e saj fillestar.

Komisioni Hetimor për koncensionet në shëndetësi nisi punën, pavarësisht se mes ky kaheve ndasitë ishin të dukshme. Kryetarja demokrate e Komisionit Albana Vokshie cilësoi arritje të opozitës hetimin e kontratave koncesionare të check up-it dhe të sterilizimit në Shëndetësi.

Premtimi se pas 4 muajve punë do dalin në pah të gjitha shkeljet e pretenduara prej tyre, nënkryetari socialist Plarent Ndreca e quajti paragjykim. 

“Vlera e dy koncensioneve që do të shqyrtojë, qoftë në mënyrën e dhënies, qoftë edhe në dokumentacionin e tenderit dhe në zbatimin e tenderit kalon vlerën e 200 milionë Eurove. Në këndvështrimin tonë është edhe korrupsion në nivele të larta”, tha Vokshi.

“Referuar dhe deklaratave që ju bëtë del e qartë që po paragjykoni të gjithë veprimtarinë e këtij komisioni. Nëse ju vijoni me pyetje, apo do të konkludoni kur nuk ka filluar puna e komisionit keni thyer një parim kushtetues që është ai i respektimit të procesit të rregullt ligjor”, u përgjigj Ndreca.

Prania e Plarent Ndrecës në komision shihet në konflikt interesi nga opozita. 

“Zoti Ndreca a ka konflikt interesi vetë që ndodhet në këtë komision. Pasi një prej gjërave që duhet të deklarojmë para se të konstituohemi është nëse kemi konflikt interesi, unë mendoj që ka konflikt pasi ka qenë avokat i një prej të të akuzuarve”, tha deputetja Ina Zhupa.

“Sa i përket konfliktit të interesit, duhet të kuptoni se kush është në konflikt unë apo kryetarja, që është kallëzuese. Nëse do të kishte vend për konflikt do ishte kryetarja e komisionit që është kallëzuesja”, shtoi Ndreca.

Ishte vetëm mbledhja e konstituimit të Komisionit, por vijimi i takimit nën klimë tensioni solli në kërcënimin e parë për bojkot nga ana e socialistëve

Debatet nuk penguan miratimin e planit paraprak të hetimit, ndërsa pritet edhe caktimi i ekspertëve nga të dy palët. Kryetarja Vokshi kishte bërë gati edhe listën e dëshmitarëve, duke nisur me Kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin e Shëndetësisë që lidh kontratat koncesionare Ilir Beqaj, i cili vijon betejën e tij në Strukturën e Posaçme Kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos