Konkursi ndërkombëtar për projektin zhvillues të një zone të kryeqytetit, Rama: Tirana, ‘lokomotiva’ e një transformimi epokal

Nga A2 CNN
7 Prill 2025, 15:41 | Politikë

Konkursi ndërkombëtar për projektin zhvillues të një

Një tjetër zonë qendrore e Tiranës, e mirënjohur për qytetarët si zona e Cirkut, pritet të rivitalizohet, falë një projekti bashkëkohor që do të përzgjidhet nga gara ndërkombëtare e 6 studiove të arkitekturës, nga të cilat, 5 janë të reja për publikun shqiptar.

Në praninë e Kryeministrit Edi Rama po prezantohen projektet nga përfaqësuesit e studiove, përkatësisht: COBE, Danimarkë; GO HASEGAWA & Assiciates, Japoni; GROUPWORK, Britani e Madhe; L’AUC, Francë; NIETO SOBEJANO, Spanjë; ARCHEA Associati, Itali, ku në përfundim do të shpallet edhe projekti fitues.

Në nisje të prezantimeve, Kryeministri Rama iu drejtua të pranishmëve me një përshëndetje, ku tha mes të tjerash se Tirana është ‘lokomotiva’ e një transformimi epokal.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Brenda një harku shumë të shkurtër kohe rikthehemi këtu për një tjetër konkurs ndërkombëtar, këtë herë një konkurs i organizuar nga vetë subjekti në kuptimin e kërkesës për të bërë një zhvillim shumë të rëndësishëm në qendër të Tiranës dhe siç kemi bërë herët e tjera, nga ana jonë, ne kemi kërkuar që ky zhvillim t’i nënshtrohet konkursit dhe kështu jemi këtu, së bashku me një juri, prestigji i së cilës vjen nga prania e disa arkitektëve vërtetë të jashtëzakonshëm që nuk janë thjesht të ftuar nga jashtë, por janë edhe protagonistë të transformimeve të rëndësishme të vendin në fushën e zhvillimit urban me projektet e tyre.

Po ashtu, dëshiroj që duke i falënderuar anëtarët e jurisë që pranuan ftesën për të na ndihmuar në një gjykim sa më të mirëarsyetuar, dua të falënderoj edhe të gjitha studiot që aplikuan. Ishin një numër i konsiderueshëm studiosh që aplikuan dhe patjetër që dua t’i uroj sukses studiove këtu të pranishëm që janë përzgjedhur për këtë fazë finale.

Është një tjetër gur i rëndësishëm që ne synojmë të vëmë në  rrugën e re të vendit, një rrugë ku Tirana është “lokomotiva” e një transformimi epokal, falë dhe pikërisht këtyre zhvillimeve që kanë përfshirë një numër të jashtëzakonshëm arkitektësh ndërkombëtarë dhe që kanë krijuar një hapësirë të jashtëzakonshme për arkitektët vendas, për të gjithë vajzat dhe djemtë që kanë pasion arkitekturën dhe që e ushtrojnë këtë profesion, që faktikisht të jetojnë në një vend që sot është një “universitet” i hapur dhe që falë, jo vetëm këtyre konkurseve, por edhe partneriteteve me studiot e mëdha ndërkombëtare, të mund të përfitojë një dije shumë të çmuar, një dije përmes ndërveprimit me profesionistë shumë të spikatur të kësaj fushe mundësish edhe parafytyrimesh të pafundme.

Nuk dua të zgjatem më tutje.

Dua dhe një herë tjetër që t’ju uroj sukses të gjitha studiove të përfshira dhe njëkohësisht të uroj që, siç na ka ndodhur deri më sot për fat të mirë, juria të bëjë zgjedhjen e duhur.

Shumë faleminderit!

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos