Gjatë vizitës në Izrael Kryeministri Edi Rama është vlerësuar me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga presidenti, Isaac Herzog. Sipas Presidentit izraelit ky është një nderim për shembullin që shqiptarët i dhanë botës duke mos dorëzuar asnjë hebre gjatë Luftës së II Botërore, si dhe për tolerancën fetare dhe etnike.
“Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritetit ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Me kurajë ata iu dhanë strehë grave, burrave hebrenj, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Evropës dhe duke e bërë këtë, ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qenieve njerëzore”, tha Isaac Herzog.
Pasi falënderoi për vlerësimin, kryeministri Rama kujtoi historinë e mbrojtjes së hebrenjve gjatë pushtimit nazist.
“Ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar, e mbi të gjitha, në emër të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë, të cilët vunë veten e jetët në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë moderne dhe e kthyen vendin tim në të vetmin vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa në fillim të saj”, tha Edi Rama.
Presidenti Herzog foli për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe për paqen në Lindjen e Mesme.
“Vizioni i partneritetit dhe miqësisë sonë shkon përtej vetëm dy kombeve. Ai mishëron modelin e partneritetit midis etnive e besimeve fetare, e ja pse kemi me ne sot udhëheqës kaq të rëndësishëm fetarë, të cilët mund të ndihmojnë ta transformojnë Mesdheun Lindor nga një rajon konflikti, në një korridor bashkëpunimi e ndërlidhjeje, e në një model tolerante paqeje për Lindjen e Mesme”, nënvizoi Presidenti i Izraelit.
Kryeministri i Shqipërisë ishte më I ashpër në reagimin e tij, duke u shprehur që paqja me Hamasin nuk është zgjidhja e konfliktit.
“Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete, por në këndvështrimin tim e në këndvështrimin tonë, nuk ka zgjidhje me Hamasin aty dhe ndryshe nga ç'janë përpjekur të tjerët të thonë, Hamasi nuk është lëvizje rezistence. Hamasi janë nazistët e shekullit të ri. Historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe, me nazistët nuk ka kompromis”, theksoi Rama.
Gjatë vizitës në Izrael, kryeministri Rama pa nga afër funksionimin e qendrës spitalore SHEBA me inteligjencë artificiale. Një praktikë që pritet të ngrihet edhe në QSUT nga izraelitët. (A2 Televizion)