Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit në Izrael, presidenti Herzog: Populli shqiptar simbol nderi dhe kurajoje

Nga A2 CNN
7 Prill 2025, 08:25 | Politikë

Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit në Izrael,

Kryeministri Edi Rama është vlerësuar me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga presidenti i Izraelit, Isaac Herzog. Ky çmim akordohet për personalitete të rëndësishme botërorë në politikë. Sipas tij ky është një nderim për shembullin që shqiptarët i dhanë botës duke mos dorëzuar asnjë hebre, si edhe tolerancën fetare dhe etnike.

“Është nder e kënaqësi t’ju akordoj medaljen presidenciale të Izraelit. Medalja presidenciale e nderit e Izraelit nderon ata që kanë ndriçuar botën me udhëheqjen e tyre e të jashtëzakonshme, qartësinë morale dhe vlerat demokratike dhe ata që kanë dëshmuar miqësinë  tyre të guximshme me popullin hebre dhe Izraelin Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, ndihet i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës në orët më të errëta. Gjatë Holokaustit, populli shqiptar ishte simbol nderi dhe kurajoje. Me kurajo iu dhanë strehë grave e burrave hebreje, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Europës dhe duke bërë këtë ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qenieve njerëzore. Kjo thirrje integriteti e nderi rrënjosur fort në popullin tuaj, gjen jehonë në qëndrimin tuaj të pakompromis kundër antisemitizmit e urrejtjes. Unë personalisht u mallëngjeva gjatë vizitës time në Tiranë në shtator nga dhembshuria prekëse”, tha presidenti izraelit.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama kujtoi historinë e mbrojtjes së hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore.

“E kam për nder ta pranoj këtë çmim në emër të popullit shqiptar, dhe në radhë të parë, në emër të gjithë shqiptarëve, myslimanë dhe të krishterë, të cilët vunë veten dhe jetën e tyre në rrezik në orën më të errët të historisë moderne, dhe e kthyen vendin tonë të vetmin në Evropë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj se kur ajo nisi. Ne bëjmë gjithçka që mundemi për të ngritur zërin ndaj antisemitizmit. Ne kemi miratuar legjislacionin dhe kemi promovuar edukimin për Holokaustin nëpër shkollat ​​tona, sepse për ne kjo nuk ka të bëjë vetëm me hebrenjtë, por me njerëzimin.Po ndërtojmë një muze hebre në Vlorë dhe një qendër kulturore hebreje në Tiranë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos