Konstitituohet Këshilli Kombëtar, Berisha: Më cilësori që PD ka zgjedhur, ripërtëritja detyrimi ynë

Nga A2 CNN
2 Korrik 2026, 15:08 | Politikë

Një muaj pasi u zgjodh, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike u mblodh për t’u konstituar. Për Sali Berishën kjo përbërje e Këshillit Kombëtar është më cilësorja që Partia Demokratike ka pasur.

“E them me ndjenjë optimizmi, kënaqësie dhe krenarie, e Këshillit Kombëtar më të fuqishëm, më cilësor që PD ka zgjedhur në tërë historinë e saj”, tha Berisha.

Vonesa me një muaj e konstituimit të Këshillit Kombëtar, përveç zhvillimeve të brendshme u ndikua edhe nga protesta e të rinjve që po vijon prej 32 ditësh. Për kreun e PD, kjo lëvizje qytetare nuk do të ndalet pasi sicc tha ai po bëhet nga gjenerata që ka fituar disa beteja.

“Tani ata janë në rrugë, forcë në botë që mund t’i pengojë ata pa realizuar përmbysjen e kësaj qeverie, nuk ka. Lëvizja e tyre sado që përpiqet Edi Rama me të gjithë propagandën e tij prokolalike, sado që ka marrë kompanitë më të mëdha për t’ua rrëmbyer algoritmin, sado që ka krijuar me qindra e qindra faqe fake për t’i sulmuar ata, çfarëdo që bën, është i pashpresë”, tha kreu i PD.

Thirrjet që vijnë nga protesta, pohon se i ka dëgjuar, dhe përgëzoi të gjithë ata që kanë dalë në protestë dhe mbështesin të rinjtë. Në frymën e protestës, por edhe të devizës të vetë demokratëve që thonë se po ripërtëriten, Berisha tha se vetëm një parti e rinovuar mund të jetë alternativë për nesër.

“Ripërtëritja është detyrimi ynë madhor. Vetëm një forcë politike e ripërtërirë disponon të gjithë energjitë, të gjithë forcën, të gjithë vizionin, të gjithë potencialet për organizim dhe modernitet për të përmbushur misionin e saj”, tha Berisha.

Lideri demokrat kërkoi nga të tijtë të vijojnë betejat, duke pohuar se bashkë të rinjtë që po dalin në protestë dhe me mbështetjen ndërkombëtarë do të arrijnë objektivin, largimin e Edi Ramës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos