Kryeministri Edi Rama ka shpallur masa të reja të forta për kontrollin e territorit dhe disiplinimin e sektorit të ndërtimit, duke paralajmëruar krijimin e një liste të zezë për të gjithë shkelësit e ligjit në këtë fushë.
“Një tjetër masë është krijimi i një liste të zezë dhe ndalimi për të aplikuar për leje ndërtimi i shkelësve të lejeve të ndërtimit, jo vetëm i kompanive, por edhe i individëve. Në këtë listë do të përfshihen zhvilluesit, shoqëritë, administratorët, ortakët dhe pronarët përfitues që kanë shkelur ligjin. Ata do të përjashtohen nga marrja e lejeve për një periudhë 5-vjeçare,” deklaroi Rama.
Lista e zezë do të jetë publike dhe e aksesueshme nga të gjithë, ndërsa shkeljet nuk do të kufizohen vetëm në ndërtime pa leje, por edhe në ndryshime minimale të projekteve të miratuara. “Edhe një ndryshim i thjeshtë në fasadë, i bërë pa autorizim, përbën shkelje që ndëshkohet me gjobë dhe fut menjëherë subjektin në listën e zezë,” theksoi kreu i qeverisë, shkruan A2 CNN.
Një penalitet i rëndësishëm prek edhe arkitektët, nëse ata përfshihen në shkelje, u hiqet licenca për pesë vite dhe u ndalohet ushtrimi i profesionit. (A2 Televizion)