Kryeministrit Rama nuk i ka dalë e keqja me takimin elektoral të Partisë Demokratike në Korçë të disa ditëve më parë, ku mes personave që folën në podium ishte dhe personazhi i TikTok, Ilir Vrenozi, disa fyerje të të cilit elektrizuan sallën.
Nga sheshi përpara Katedrales së qytetit juglindor, kreu i qeverisë listoi arsyet se përse duhet të votohet edhe njëherë Partia Socialiste në këto zgjedhje, mes të cilave dhe reformën në drejtësi, e cila sipas Ramës ka goditur dhe drunjtë e shtrembër brenda mazhorancës.
“Nuk më del inati dhe me atë kënetën porno-politike. Në atë pallat sporti është çnderuar Korça, të gjithë ata që kanë kënduar serenata. Kur të tjerët nuk e dinin ku binte Europa, Korça konsiderohej Parisi i vogël.
Kemi një moment kur shqiptarët po jetojnë një përpjekje të barazisë para ligjit. Nuk ka qenë kurrë barazia para ligjit një realitet për shqiptarët. Vijnë këta bashkë me ca të tjerë që shtrihen në berberhanet e debateve politike dhe bëjnë të habiturin si votojnë PS.
Këta nuk dinë të bëjnë aritmetikë, ministrat që kanë pasur problem me drejtësinë nuk janë sa gishtat e dorës. Po edhe sikur të jetë kështu, kush e solli barazinë para ligjit, këta apo Stamo Dumua. Këta kujtojnë se do ulim ne se mes nesh ka dhe drurë të shtrembër, nuk janë në vete. Jemi krenar që krijuam këtë realitet të ri, ndamë pushtetet dhe i dhamë sens shtetbërjes demokratike”, tha Rama në Korçë.
(A2 Televizion)